
Rukiqi: Kosova synon të jetë destinacion për investimet e huaja gjatë dekadës së ardhshme
Kosova dhe Ballkani Perëndimor synohet të jenë destinacion për investime të huaja në dhjetë vitet e ardhshme.
Kështu është thënë sot gjatë prezantimit të studimit “Të bëhemi më të fortë pas Covid-19: Shfrytëzimi i Potencialit të Afërsisë Gjeografike për Investime të Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor”, nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka deklaruar se në bazë të kësaj analize, Ballkani ka potencial që të jetë destinacion i investimeve sidomos nga Gjermania në dhjetë vitet e ardhshme. Derisa shtoi se ky interesim ndërlidhet me stabilitetin politik dhe bashkëpunimin rajonal. “Kosova ka shansin të tërheq investime të huaja serioze. Jo rastësisht kanë nisur diskutimet për iniciativën e bashkëpunimit rajonal. Këto investime do të ndikonin për rritjen e punësimit dhe rritjen e eksporteve drejt vendeve të treta”, u shpreh ai.
Ai shtoi se për të pasur Kosova investime të huaja kërkohet të bëhen disa politika të domosdoshme, siç janë reformat arsimore ose kualifikimi i fuqisë punëtore, politika fiskale të favorshme për investitorë, qeverisje të mirë dhe stabile.
Kreu i OEK-ut Berat Rukqi, po ashtu ka thënë se Covid-19 ka çrregulluar komplet transportin dhe prodhimin që kanë ndikuar në lëvizjen e çmimeve.