Rukiqi: Vonesat në krijimin e qeverisë së re po shkaktojnë dëme të mëdha te bizneset

27 janar 2020 | 15:06

Vonesat e krijimit të qeverisë së re nuk po ndikojnë vetëm në buxhetin e vendit, mirëpo janë duke shkaktuar dëme të mëdha edhe në uljen e besimit së bizneseve. Kështu ka deklaruar drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një takim me shoqatën e zejtarëve dhe afaristëve “Esnaf” nga Prizreni, takim ky i cili u mbajt për të shqyrtuat mundësinë e një lidhje bashkëpunimi në përkrahje të sektorit privat.
Rukiqi ka thënë se në matjen e tremujorit të fundit të vitit 2019, është parë një bllokadë te bizneset, gjë që ka ndikuar në uljen e konferencës së bizneseve.

Sipas tij, krejt kjo ka ndodhur për shkak të zvarritjes së procesit zgjedhor dhe vonesave në krijimin e qeverisë së re. “Sa i përket vonesave dua ta ritheksojë edhe një herë faktin që kemi vetëm efekte që lidhen me buxhetin apo me mundësinë që të ketë vonesa në miratimin e buxhetit, mirëpo kemi dëme shumë më të mëdha në vet performancën e bizneseve që vërehen në muajt e fundit në indikatorin e matjes së këtyre bizneseve. I kemi rezultatet e para dhe nuk janë mjaft inkurajuese për tremujorin e fundit të vitit 2019, gjë që ka ndikuar në uljen e besimit së bizneseve, pikërisht nga këto bllokadat e gjata, qoftë prej momentit kur janë shpallur zgjedhjet, pastaj edhe në finalizimin e rezultatit zgjedhor që do të duhej të kurorëzohej me krijimin e qeverisë së re”, u shpreh Rukiqi.

Ai ka folur edhe rreth marrëveshjeve të fundit të proklamuara nga ndërmjetësi i presidentit Donald Trump me dialogun Kosovë-Serbi, ku tha se gjatë vitit 2013, kanë iniciuar një dialog teknik me Odën Ekonomike të Serbisë.

Sipas Rukiqit, si tema kryesore janë diskutuar eliminimi i barrierave në përgjithësi, barrierave teknike që ekzistojnë dhe barrierave tjera që pamundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave, por edhe të njerëzve me Serbinë.

Ai ka shtuar se për shkak të zhvillimeve që pasuan nga obstruksioni serb në shumë fusha tjera dhe kur erdhi edhe momenti i vendosjes e taksës nuk ka pasur progres. “Ne në vitin 2013 kemi iniciuar një dialog teknik me Odën Ekonomike të Serbisë. Në këtë dialog tri tema kryesore ishin: eliminimi i barrierave në përgjithësi, barrierave teknike që ekzistojnë dhe barrierave tjera që pamundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave por edhe të njerëzve me Serbinë, ndërkaq tema e dyta ishte e lidhur me infrastrukturën, transporti hekurudhor dhe linja ajrore, ndërsa tema e tretë ka qenë pjesa e shërbimeve postare. Për shkak të zhvillimeve që pasuan nga obstruksioni serb në shumë fusha tjera që erdhi edhe rezultoi me vendosjen e taksës nuk ka pasur progres në atë kohë, mirëpo ne i kemi konsideruar si marrëveshje të një pako të përgjithshme që e mundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave, të shërbimeve dhe të njerëzve mes Kosovës dhe Serbisë. Normalisht duke shfrytëzuar edhe infrastrukturën që do të ndërtojmë ndërmjet dy vendeve për lidhjen me korridoret e rëndësishme ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Sa i përket takimit me përfaqësuesit e shoqatës “Esnaf”, Rukiqi ka thënë se kanë bashkëpunim të mirëfilltë qe shumë vite, duke shpresuar se ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Kryetari i shoqatës “Esnaf”, Varis Xhejlani u shpreh se vizita e tyre në OEK, ishte që të shpërndajnë buletinin e punuar për 25-vjetorin e kësaj shoqate.

Xhejlani ka theksuar se ky buletin përmban informata të rëndësishëm rreth zhvillimit ekonomik dhe turistik me qëllim që të përcjellin traditën dhe kulturën e organizimit të “Esnaf”-it te brezat e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar…