Rusia dërgon mercenarë në Libi

07 janar 2020 | 13:43

Në koordinim të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjiptit, Rusia ka dërguar mercenarë nga Siria në Libi për të luftuar në radhët e gjeneralit puçist Khalifa Haftar, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës Arab al-Jadid me qendër në Londër, dy avionë të Forcave Ajrore të Rusisë që transportonin mercenarë rusë kanë zbritur në Aeroportin e Bengazit.

Mercenarët e dërguar nën koordinimin e EBA-së dhe Egjiptit veprojnë nën çatinë e dy firmave të sigurisë me emrin Moran dhe Schit.

Në Libi po ashtu janë dërguar edhe shtetas të Sirisë që punojnë për forcat ruse.

Deri më tani ka pasur raportime të shumta se numri i mercenarëve të firmës ruse Wagner Grup është duke u rritur vazhdimisht.

Më 4 prill, forcat e gjeneralit rebel Khalifa Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e njohur ndërkombëtarisht nisi një kundër-operacion.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si “Lufta Vendimtare”, ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali puçist Haftar, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sandra Bullock, dikur tha në një intervistë, se djali i…