Rusia pesimiste për kohëzgjatjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit

24 qershor 2025 | 12:46

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska zyrtare e mbështet armëpushimin e arritur ndërmjet Izraelit dhe Iranit, porse është e vështirë të konstatohet se mund të zgjasë, ka raportuar Reuters.

“Është shumë e vështirë të nxirren përfundime tani për tani”, është shprehur Lavrov, në reagimin e parë të shtetit rus ndaj marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Por, pasi që është shpallur, ka pasur raportime për sulme, për shkëmbime të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit. Rrjedhimisht, të mos dalim në përfundime që bazohen vetëm në informacione të pjesshme”, ka shtuar ai.

Rusia, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik me Republikën Islamike të Iranit në fillim të vitit, i ka dënuar sulmet e Izraelit dhe të SHBA-së kundrejt bazave bërthamore dhe ushtarake të vendit persik, tek i ka kualifikuar ato si ilegale dhe të paprovokuara.

Nga ana tjetër, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar qytetet izraelite dhe së fundmi bazën ushtarake amerikane në Katar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milani kërkon të ndryshojë shumë gjëra në këtë sezon dhe…