
Rusia ‘pothuajse nuk fitoi asnjë territor’ në ofensivën e fundit në Ukrainë
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka shprehur edhe një herë zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, për vazhdimin e një lufte të cilën e cilësoi të pakuptimtë, duke theksuar se është koha që Rusia të ndalet.
Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë të martën, raporton Telegrafi.
“Unë kam zgjidhur, siç e dini, shtatë luftëra […] dhe mendova se kjo [lufta e Rusisë kundër Ukrainës] do të ishte ndër më të lehtat për t’u zgjidhur. Por jam shumë i zhgënjyer me Putinin”, ka thënë Trump.
Sipas tij, pavarësisht humbjeve masive të Rusisë dhe fitimeve minimale në fushën e betejës, Putin vazhdon të zhvillojë luftë.
“Me të gjitha bombardimet e rënda gjatë dy javëve të fundit, ata nuk kanë fituar pothuajse asnjë territor”, tha Trump, duke folur për operacionet e fundit ofensive të Rusisë në Ukrainë.
Ai shtoi se Rusia ka bërë shpenzime të mëdha në luftë, por rezultatet janë minimale.
“Nuk do ta quaj kurrë askënd ‘tigër letre’, por Rusia shpenzoi miliona e miliona dollarë për bomba, raketa, municione dhe jetë, jetët e tyre, dhe ata praktikisht nuk kanë fituar asnjë territor”, u shpreh Trump.
Në të njëjtën kohë, ai e lavdëroi Erdoganin gjatë takimit, duke thënë se presidenti turk mund të ketë “ndikim të madh” në këtë luftë, pasi respektohet si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina.
Pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Nju Jork, Trump theksoi se duke pasur parasysh situatën aktuale të Rusisë, Ukraina është e aftë të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara nga shteti agresor.