Rusia provokon sërish, avionët rus hyjnë edhe në Poloni pas Estonisë

19 shtator 2025 | 23:21

Pas njoftimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë, një incident i ngjashëm është raportuar edhe në Poloni.

Sipas Forcës Kufitare polake, dy avionë luftarakë rusë kanë shkelur zonën e sigurisë të platformës së eksplorimit të naftës dhe gazit Petrobaltic, e cila ndodhet në Detin Baltik.

Mjetet ajrore kanë kryer një kalim të ulët mbi platformë, duke shkaktuar shqetësim për sigurinë në rajon.

“Forcat e Armatosura Polake dhe autoritetet e tjera janë njoftuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të lëshuar nga autoritetet polake.

Sakaq, liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë reagimin e tyre ndaj shkeljeve nga Rusia të hapësirës ajrore evropiane në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Kopenhagë më 1 tetor, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

“Shkelja e sotme e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë ushtarakë rusë është një provokim tjetër i papranueshëm. Kjo nënvizon edhe një herë nevojën urgjente për të forcuar krahun lindor, për të thelluar bashkëpunimin evropian në fushën e mbrojtjes dhe për të intensifikuar presionin ndaj Rusisë. Ne do të trajtojmë reagimin tonë të përbashkët ndaj veprimeve të Rusisë në takimin informal të Këshillit Evropian në Kopenhagë më 1 tetor”, tha Costa në një postim në X.

Ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, tha se BE-ja qëndron plotësisht në solidaritet me Estoninë.

“Jam në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze. Do të vazhdojmë të mbështesim shtetet anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putin po teston vendosmërinë e Perëndimit. Nuk duhet të tregojmë dobësi”, tha Kallas.

Tre avionë rusë u kapën duke fluturuar në hapësirën ajrore të Estonisë këtë mëngjes. Ata qëndruan për 12 minuta para se të dëboheshin nga një mision italian i patrullimit ajror. Estonia është vendi i tretë anëtar i NATO-s që raporton një shkelje të hapësirës së saj ajrore nga Rusia në javët e fundit, pas Rumanisë dhe Polonisë që kanë raportuar incidente të ngjashme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka…