
Rusia sulmon Kharkivin me raketa, dronë dhe bomba, katër të vrarë, mbi 60 të plagosur
Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe mbi 60 të tjerë janë plagosur, përfshirë një foshnjë, pas një serie sulmesh ajrore ruse ndaj qytetit lindor ukrainas Kharkiv, raportuan zyrtarët lokalë të shtunën.
Sipas autoriteteve, sulmet ndodhën gjatë natës dhe mbrëmjes, duke përfshirë raketa, dronë dhe bomba ajrore të drejtuara.
“Kharkivi po përballet me sulmin më të fuqishëm që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë,” deklaroi kryetari i qytetit, Ihor Terekhov, përmes rrjetit Telegram. Ai shtoi se gjatë natës u dëgjuan dhjetëra shpërthime, ndërsa forcat ruse godisnin njëkohësisht me disa mjete luftarake.
Objektivat e sulmit përfshinë ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe private, institucione arsimore dhe objekte infrastrukturore, transmeton Reuters.
Kharkivi, një nga qytetet më të mëdha të Ukrainës dhe vetëm disa dhjetëra kilometra larg kufirit me Rusinë, ka qenë nën sulme të vazhdueshme gjatë më shumë se tre viteve luftë.