Rusia urdhëron hekurudhat ruse të shesin një rrokaqiell për të paguar një pjesë të borxheve
Qeveria e Rusisë e ka urdhëruar kompaninë Hekurudhat Ruse që të shesë një ndërtesë 62-katëshe në qendër të Moskës për ta ndihmuar pagesën e një pjese të borxhit prej 50 miliardë dollarësh, i thanë tri burime agjencisë “Reuters”.
Qeveria po diskuton mënyra për ta rritur buxhetin e punëdhënësit më të madh komercial të Rusisë, sipas një raportimi të kësaj agjencie muajin e kaluar.
Hekurudhat Ruse, kompani në pronësi të shtetit që punësoj rreth 700 mijë njerëz, ka pësuar rënie të të hyrave në kohën e rënies së ndjeshme në ekonominë ruse të luftës, ndërsa kostot e borxhit janë rritur me të madhe, të nxitura nga shkallët më të larta të interest në dy dekada.
Opsioni i shitjes së ndërtesës “Kullat e Moskës”, pjesë e “Moscow City” në stilin e Manhattan-it, u diskutua në një takim qeveritar javën e kaluar, i tha agjencisë “Reuters” në kushte anonimiteti një burim i afërt me këto bisedime.
Tri burime i thanë kësaj agjencise se është marrë një vendim që Hekurudhat Ruse duhet ta shesin rrokaqiellin për të paguar një pjesë të borxhit të kompanisë dhe për ta shmangur rritjen e konsiderueshme të çmimeve për transportimin e mallrave.

Njëri nga burimet tha se kompania është udhëzuar që ta shesë ndërtesën për një çmim jo më të ulët se ai i blerjes më 2024. Gazetat ruse “Kommersant”, “Vedomosti” dhe RBC raportuan se bëhet fjalë për 193,1 miliardë rubla (2,42 miliardë dollarë).
Hekurudhat Ruse dhe autoritetet qeveritare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Nuk është marrë ndonjë vendim për masat e tjera të diskutuara më herët, përfshirë rritjen e çmimeve për transportimin e mallrave, ristrukturimin e borxhit, subvencionet shtetërore dhe zvogëlimin ose shtyrjen e pagesës së taksave, tha njëri nga burimet, duke shtuar se në tavolinë është ende opsioni për të shndërruar një pjesë të borxhit banker në aksione.
“Moscow City” është një grup rrokaqiejsh në brigjet e lumit Moskva. Aty i kanë zyrat kompani të rëndësishme ruse, përfshirë bankën VTB si dhe disa ministri.



