
Rutte i tërheq vërejtje Serbisë: “Mos e quani më Prishtinën regjim, përmbahuni nga retorika nxitëse ndaj Kosovës”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje për ndaljen e retorikës nxitëse nga zyrtarët serbë ndaj institucioneve të Kosovës, duke kërkuar që Serbia të tregojë lidership për uljen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor.
Në adresimin e tij më 26 maj para Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Rutte reagoi ndaj përfaqësuesit serb duke e quajtur të padobishëm përdorimin e termave si “regjimi në Prishtinë”, të cilat sipas tij nuk kontribuojnë në qetësimin e situatës. “Nuk funksionon. Serbia është vendi më i madh në rajon dhe kemi nevojë për lidershipin e saj. Por ju lutem, përmbahuni nga kjo retorikë”, tha ai.
Rutte theksoi rëndësinë e Forcës së NATO-s në Kosovë – KFOR, duke e cilësuar atë si faktor kyç për stabilitetin rajonal. Ai garantoi se aleanca do të sigurojë që KFOR-i të jetë gjithmonë i përgatitur dhe i pajisur me të gjitha kapacitetet e nevojshme, pa konfirmuar nëse pritet rritje apo ulje e trupave.
Shefi i NATO-s rikujtoi gjithashtu takimin e fundit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe incidenteve të tjera të ndodhura gjatë vitit 2023.