
Rutte: Po punojmë me BE-në për mburojën evropiane kundër dronëve
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë para takimit me ministrat e mbrojtjes se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Evropian (BE) po punojnë së bashku për të krijuar “një mur për dronët” për të mbrojtur vendet anëtare nga inkursionet e dronëve.
I pyetur nëse po dyfishohen përpjekjet për këtë çështje, Rutte ka thënë se BE-ja dhe NATO-ja kanë role të ndryshme: NATO-ja ofron kapacitete në aspektin ushtarak, ndërsa BE-ja e ka fuqinë e butë të tregut të brendshëm dhe siguron që të jenë të disponueshme fondet.
Fokusi i takimit në Bruksel të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s pritet të jetë po ashtu edhe forcimi i mbështetjes për Ukrainën. Në takim do të merr pjesë edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, teksa presidenti amerikan, Donald Trump është duke e shqyrtuar mundësinë që ta furnizojë Kievin me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Takimi i NATO-s vjen pasi Moska ka sfiduar NATO-n me një sërë shkeljesh të hapësirave ajrore në Poloni dhe Estoni, duke rritur frikën se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet.
Po ashtu, ka pasur detektime të dronëve edhe në afërsi të ndërtesave ushtarake në shtete të tjera, që kanë nxitur autoritetet të mbyllin aeroportet. Të gjitha këto ngjarje kanë rritur shqetësimet se Rusia po synon që të shtyjë NATO-n që të reagojë.
Ministrat e Mbrojtjes po ashtu pritet të përqendrohen edhe në përpjekjet për të mbushur boshllëqet në krahun lindor të aleancës, pasi NATO-ja është detyruar të përdorte raketa të shtrenjta për të rrëzuar dronët rusë që hynë në Poloni.
Pas incidenteve, NATO-ja ka nisur një mision për të forcuar mbrojtjen e saj, por disa vende afër Rusisë kanë kërkuar që të ketë një përgjigje më të fuqishme.
Aleanca ushtarake perëndimore po ashtu është duke synuar të përshpejtojë zhvillimin e afësive kundër dronëve dhe të inkurporojë në mbrojtjen e saj teknologjinë e lirë që Ukraina përdor.
Edhe BE-ja do të zhvillojë një takim me ministrat e saj të Mbrojtjes mbrëmjen e së mërkurës. Blloku ka propozuar krijimin e një “muri për dronët” për t’u përballur me kërcënimet.
Megjithatë, në mesin e shteteve evropiane ka skepticizëm, siç është rasti i Gjermanisë, për këtë propozim dhe po ashtu ka frikë se blloku evropian mund të hyjë në fushëveprimtarinë e NATO-s.
Nisma për dronët është një nga projektet kryesore që BE-ja është përqendruar si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta përgatitur bllokun për një konflikt të mundshëm me Moskën në vitet në vijim. BE-ja pritet t’ua paraqesë ministrave një udhëzues për planin e saj, që shpreson se do të miratohet gjatë një samiti të udhëheqësve që do të mbahet javën e ardhshme.