Sa miliona euro do t’i fitonte Kosova po të kualifikohej në Kupën e Botës 2026?

26 mars 2026 | 16:17

Kombëtarja e futbollit të Kosovës do të luftojë sonte në orën 20:45 për një vend në Kupën e Botës 2026 kundër Sllovakisë.

Skuadra e trajnerit Franco Foda duhet fillimisht të mposhtë Sllovakinë në rrugën drejt Botërorit, dhe më pas njërën nga Rumania ose Turqia në finalen e “play-offit”.

Nëse ia dalin, kjo do të ishte historike, pasi Kosova do të siguronte për herë të parë pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

Po ashtu, është bërë e ditur se sa do të përfitojë secila kombëtare për kualifikimin në Botëror.

Çdo pjesëmarrës që arrin të sigurojë një vend në Kupën e Botës 2026, e cila do të organizohet nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, do të marrë 1.5 milion dollarë (rreth 1.3 milion euro) nga FIFA për të mbuluar shpenzimet logjistike të ekipeve.

Përveç kësaj, 9 milionë dollarë do t’u jepen federatave kombëtare për renditjen nga vendi i 33-të deri në të 48-tin.

“Çdo pjesëmarrës ka të garantuar minimumi 10.5 milionë dollarë (rreth 9 milionë euro)”, konfirmoi FIFA.

Me çdo renditje më të lartë se vendi i 32-të, shpërblimet rriten. Fituesi do të marrë 43 milionë euro, vendi i dytë 33 milionë euro dhe vendi i tretë 29 milionë euro.

FIFA gjithashtu njoftoi në dhjetor të vitit të kaluar se do të shpërndajë gjithsej 627 milionë euro për pjesëmarrësit në Kupën e Botës 2026, nga të cilat 565 milionë euro janë për bonuset sipas rezultateve.

Shpërblimet sipas renditjes:

Vendi i parë: 50 milionë dollarë (43.1 milionë euro)

Vendi i dytë: 33 milionë dollarë (28.4 milionë euro)

Vendi i tretë: 29 milionë dollarë (25 milionë euro)

Vendi i katërt: 27 milionë dollarë (23.3 milionë euro)

Vendet 5–8: 19 milionë dollarë (16.4 milionë euro)

Vendet 9–16: 15 milionë dollarë (12.9 milionë euro)

Vendet 17–32: 11 milionë dollarë (9.5 milionë euro)

Vendet 33–48: 9 milionë dollarë (7.8 milionë euro)

Secila kombëtare do të marrë gjithashtu 1.5 milionë dollarë (1.3 milion euro) shtesë për përgatitjet.

Ndërkohë, kundërshtarët në Botëror po presin me padurim fituesin e këtij “play-offi”.

Në Grupin D të Kampionatit Botëror, fituesi i këtij grupi “play-offi” do të përballet fillimisht me Australinë (e shtunë, 13 qershor në orën 06:00 në Vancouver), më pas me Paraguajin (e premte, 19 qershor në orën 06:00 në San Francisko) dhe në fund me vendin mikpritës SHBA (e premte, 26 qershor në orën 04:00 në Los Angeles).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se gjatë…