Sadiku i LDK-së: Kërcënimet e Kurtit se do na çojë prapë në zgjedhje janë goditje e rëndë për ekonominë dhe shtetin
Ermal Sadiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke iu referuar deklarimeve të Albin Kurtit të Vetëvendosjes se vendi mund të shkojë prapë në zgjedhje pas atyre të 7 qershorit, ka thënë se kjo përbënë “goditje të rëndë për ekonominë dhe të ardhmen e shtetit.”
“Kërcënimet e Kurtit që do të na dërgojë prapë në zgjedhje, për shumëkënd mund të duken si manipulimet e radhës politike. Por në realitet, janë një goditje e rëndë për ekonominë dhe të ardhmen e shtetit. Ndoshta para 20 viteve, humbja e 4 muajve me zgjedhje nuk kishte peshën që ka sot. Bota lëvizte më ngadalë. Teknologjia ndryshonte me vite. Sot është ndryshe”.
“Në teknologji dhe AI, 4 muaj janë pothuajse një jetë e tërë. Fuqia e inteligjencës artificiale po dyfishohet afërsisht çdo 7 muaj. Qindra miliarda euro po investohen në AI, data centers dhe robotikë. Nxënësit që përdorin AI po mësojnë disa herë më shpejt. Mjekët që përdorin AI po diagnostikojnë më herët dhe po shërojnë më mirë. Bizneset që përdorin AI po bëhen më produktive çdo muaj. Ndërkohë ne? Ne rrezikojmë të humbim edhe 4 muaj të tjerë në bllokada politike, ego dhe propagandë të një personi. Të një emri. Albin Kurti”, ka shkruar Sadiku në “Facebook”.



