Sadri Ramabaja pëlcet pas intervistës së Thaçit: Ka mbaruar koha e haxhiqamilëve, i shërbyen Serbisë

25 korrik 2025 | 10:52

Aktivisti i palodhur i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, është acaruar tej mase pas intervistës së mbrëmshme të ish-presidentit Hashim Thaçi nga qelia në Hagë, shkruan Metro.

Thaçi dje pati një intervistë me shkrim që u publikua në Rubikon të Adriatik Kelmendit, ku ish-presidenti flet për ndarjen nga babai, jetën në burg, si dhe për ngjarjet e mëdha politike në Kosovë.

Por, si duket intervista e ish-presidentit e ka pezmatuar tmerrësisht aktivistin dhe showman-in e studiove televizive të natës, Sadri Ramabaja.

Në një shkrim plot vrer, Ramabaja tha se po tentohet të ndërtohet një figurë mesianike për Thaçin, mirëpo sipas tij, tashmë veçse ka përfunduar epoka e ‘haxhiqamilëve’. Për më tepër, ai tha se këta individë u shërbejnë interesave të Serbisë.

“Rrjedhimisht individët e përzgjedhur i kanë shërbyer, secili në mënyrën e vet, interesave serbe, duke e dëmtuar rënd marshin e historisë dhe etapat politike që do t’i krijonin rrethanat për çlirimin e Kosovës dhe faktorizimin e Kombit”, shkroi Ramabaja.

Për më tepër, figurën e Thaçit ai e krahasoi me atë të Haxhi Qamilit, kryengritësit të Shqipërisë së Mesme që ishte kundër shtetit të pavarur shqiptar të shpallur në vitin 1912.

“Epoka e haxhiqamilve është stivuar tashmë në sirtarët e historisë”, tha në fund Ramabaja duke marrë shkas nga intervista e ish-presidentit të Kosovës, i cili bashkë me krerët e tjerë të UÇK-së po mbahet në Hagë që nga viti 2020.

Postimi i tij i plotë:

Inxhinjeringu politik si kiç

Inxhinjeringu politik e medial për krijimin e liderve deri në përmasat mesianike ndër ne nuk është fenomen i ri. Nëse marrim në konsideratë zanafillën e sprovës së parë (1989), mund të mirret me mend, se kush qëndron edhe prapa kësaj që u shpërfaq sonte në njërën prej mediave më kontraverze në hapësirën tonë mediale.

Por, përzgjedhja e individëve për këtë rol, dihet se vazhdimisht është bërë nga segmente të establishmentit serb që drejtonte Jugosllavinë.
Rrjedhimisht individët e përzgjedhur i kanë shërbyer, secili në mënyrën e vet, interesave serbe, duke e dëmtuar rënd marshin e historisë dhe etapat politike që do t’i krijonin rrethanat për çlirimin e Kosovës dhe faktorizimin e Kombit.

Në këtë kapërcyell epokash që po kalojmë, ndërmarrje të kësaj natyre (të inxhinjeringut politik qoftë ky edhe si kiç), përmes formulave alkimike me konotacione pilitike donkishoteske, duke shpresuar se do t’i shërbejnë përkohësisht idesë për mbajtjen peng të Republikës, fundin do ta kenë jo më të mirë se sprova e parë e talljes me minatorët (1989) dhe me emocionet e popullit.

Epoka e haxhiqamilve është stivuar tashmë në sirtarët e historisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër, më 26 korrik, në orën 19:00 në mjediset e…