“Safari i Snajperëve”, Sheshel: Vuçiq ka qenë vullnetar në njësinë e Slavko Aleksiqit në Sarajevë
Sipas një dëshmie të dhënë në vitin 2012 para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), politikani nacionalist serb Vojislav Sheshel ka deklaruar se Aleksandar Vuçiq, para se t’i bashkohej partisë së tij, kishte shërbyer si vullnetar në njësi paramilitare gjatë luftës në Bosnje.
Në dëshminë e tij, Sheshli ka thënë se Vuçiq kishte qenë nën komandën e Slavko Aleksiqit në zonën e Varrezave Hebraike në Sarajevë – një prej pikave më të përfolura gjatë rrethimit të qytetit.
Kjo dëshmi po shfrytëzohet së fundi nga avokati serb Çedomir Stojkoviq, i cili përmes një serie postimesh po pretendon se Vuçiq mund të ketë qenë i përfshirë në aktivitetet e ashtuquajtura “Safari snajperësh”, një praktikë e denoncuar prej vitesh, e cila përfshinte vrasjen e civilëve nga pozicione të larta rreth Sarajevës.
Stojkoviq ka rikthyer në qendër të debatit publik deklaratat e Sheshelit, duke theksuar se njësia e Aleksiqit ishte e vendosur pikërisht në një nga lokacionet që përmendet shpesh në raportimet për përdorimin e snajperëve kundër civilëve gjatë rrethimit.
Ndërkohë, autoritetet ndërkombëtare dhe institucionet hetimore kanë trajtuar më herët pretendime të ngjashme, por deri tani nuk ka një vendim gjyqësor që i lidh drejtpërdrejt individët e përmendur me rastet e dokumentuara të vrasjeve ndaj civilëve në Sarajevë.
Kush është Aleksanar Vuçiq, një politikan i vjetër, i cili i shërbeu edhe diktatorit famëkeq serb, Slobodan Millosheviq, në kohën kur u kryen krime të llahtarshme në Kosovë e Bosnjë?
Aleksandar Vuçiq ka lindur me 5 mars 1970 në Beograd. Në vitin 1988 ai ka përfunduar mësimet në gjimnazin “Zemunska” dhe ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Juridik, në vitin 1994.
Partisë Radikale Serbe, i është bashkuar në vitin 1993, pjesë e së cilës është edhe nacionalisti i egër, që shpreh hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, Vojslav Sheshel. Në po atë vit, Vuçiq u zgjodh deputet i Parlamentit të Serbisë, ndërsa në vitin 1994, ai u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Radikale. E ka mbajtur atë pozicion deri në vitin 2008.
Vuçiq u emërua Ministër i Informatave në vitin 1998 nga e ashtuquajtura Qeveri e Unitetit Kombëtar, në kohën kur Serbia po kryente dhe do të vazhdonte të kryente krime të rënda në Kosovë. Vuçiq i shërbeu me devotshmëri regjimit të Millosheviqit në kohët kur po kryeshin vrasje, përdhunime, përndjekje e dëbime të popullit shqiptar.
Në vitin 2008, Vuçiq dhe Tomislav Nikoliq, themeluan Partinë Progresive të Serbisë. Në tetor të po atij viti, ai u bë zevendëspresident i partisë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vitin 2012, ai u zgjodh ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i parë, me detyrën kryesore për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në Serbi.
Pas dorëheqjes së Nikoliq nga pozita e Presidentit të Partisë Progresive Serbe, dhe pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, ai u bë kryetar në detyrë i partisë me 24 maj 2012. Në kongresin e dytë, të mbajtur me 29 shtator 2012, ai mori frerët e Partisë Progresive.
Ndërkohë, vazhdoi të mbajë detyrën e ministrit të Mbrojtjes deri me 28 korrik 2012, kur u riorganizua e qeveria serbe.
Që nga ajo kohë, Vuçiq ka marrë pjesë në ekipin negociator në negociatat që u zhvilluan ndërmjet Serbisë e Kosovës në Bruksel.
Ishte nënshkrues i Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013. Nga shtatori i 2013-s, ai mbajti vetëm pozitën e zëvendëskryeministrit të parë.
Pas fitores së Partisë Progresive në zgjedhjet e 16 marsit 2014, ai u bë Kryeministër i Serbisë me 27 prill, prej kur nisi edhe konsolidimin e pushtetit të tij drejt një sistemi presidencial autoritar, duke kapur të gjithë mekanizmat institucionalë dhe duke censuruar shtypin e lirrë.
Pozitën e kryeministrit, Vuçiq e mbajti deri në gusht 2016, dhe pas zgjedhjeve të 24 prillit 2016, nisi një mandat të ri si kryeministër i Serbisë.
Ndërkaq, pas fitores në zgjedhjet presidenciale të 2 prillit 2017, ai u zgjodh President i Serbisë, i cili mban aktualisht këtë post./Telegrafi/



