
Sahiti: Ndaj Moldavisë luajmë për fitore
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nesër (e mërkurë) do të zhvillojë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve kundër Moldavisë.
Synim i “dardanëve” në këtë ndeshje është fitorja në mënyrë që të sigurohet mbetja në Ligën C. Kështu ka bërë me dije trajneri Muharrem Sahiti, i cili e drejton Kosovën në mungesë të Bernard Challandesit.
“Ka qenë vit i vështirë, por kemi fituar përvojë. E kemi ndeshjen e fundit ku synojmë të qëndrojmë në Ligën C. Do ta presim shortin në dhjetor, duhet të bëhemi gati për ciklin kualifikues. Mendoj se jemi penalizuar më së shumti, por tash gjendja e lojtarëve është e mirë. Paraqitja ndaj Sllovenisë na ka ngritur moralisht, ndaj Moldavisë jemi favorit. Por, kjo nuk duhet të jetë bazë por të përqendrohemi maksimalisht për ta synuar fitoren”, ka thënë Sahiti.