Salah fton De Bruyne te Liverpooli: Kemi vend për të

18 maj 2025 | 10:35

Mohamed Salah ka bërë një deklaratë të bujshme në një intervistë për ‘Sky Sports UK’, ku ka ftuar hapur Kevin De Bruyne t’i bashkohet Liverpoolit, duke e komplimentuar për karrierën dhe duke i dhënë sinjale të qarta mikpritjeje.

Pas një vere të gjatë spekulimesh dhe një telenovele merkatoje pa fund, Salah ka rinovuar me Liverpool-in deri në vitin 2027.

Tashmë, ai ka kthyer vëmendjen drejt rivalit të vjetër në Premier League: mesfushorit belg të Manchester City-t, që pritet të largohet falas në fund të sezonit, pas një dekade të artë në ‘Etihad’.

“Dua ta përgëzoj për karrierën. Ka bërë një punë fenomenale te City, ka qenë një lojtar i madh për të gjithë Premier League-n. I uroj më të mirën. Dhe… kemi vend për të te Liverpooli,” – tha Salah me një buzëqeshje të hapur, duke mos e fshehur aspak dëshirën për ta pasur De Bruyne në “Anfield”.

Largimi i De Bruyne nga Manchester City ka tronditur jo vetëm tifozët e “Citizens”, por edhe rivalët, të cilët e vlerësojnë maksimalisht futbollistin 33-vjeçar. Deri tani, belgu nuk ka marrë ende një vendim për klubin e ri, teksa disa mundësi janë në tavolinë.

Një prej ofertave më serioze vjen nga Napoli, me presidentin Aurelio De Laurentiis që i ka ofruar një kontratë dyvjeçare me 7 milionë euro në sezon dhe opsion për një vit të tretë.

Sipas mediave italiane, bashkëshortja e De Bruyne, Michele Lacroix, ka vizituar kohët e fundit qytetin e Napolit dhe disa apartamente, për të studiuar mundësinë e një zhvendosjeje familjare – një detaj që i jep peshë hipotezës “napolitane”.

Një element simbolik e lidh çiftin me zonën: ata janë martuar në vitin 2017 në Sant’Agnello, pranë Napolit, një shenjë ndoshta, që karriera e De Bruyne mund të vijojë nën hijen e Vezuvit.

Për momentin, mes thirrjes publike të Salah dhe ofertës bujare të Napolit, e ardhmja e Kevin De Bruyne mbetet një nga enigmat më intriguese të merkatos verore 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Istogu e ka vazhduar dominimin në hendbollin kosovar. Pasi e…