Salih Mustafa i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale

24 shtator 2020 | 12:31

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar sot Sali Mustafën.

“Salih Mustafa u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuarnë bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media, raporton “Epoka e re”.

“Z. Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, theksohet në njoftim.

Mustafa ishte intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policisë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e enjte) në orën 21:00 zhvillohet Superkupa e Evropës…