Sami Arifi: Ta ndërtojmë të ardhmen mbi bazën e vlerave kulturore

13 korrik 2020 | 12:02

SHKRUAN: ISMET RASHITI

Sllatina e Epërme dhe Sllatina e Poshtme të Vitisë janë të njohura për atdhetarizëm. Sllatinasit gjithnjë kanë qenë pjesë, e në shumë raste edhe në ballë të rezistencës kombëtare për mbrojtjen e tokave shqiptare. Njëri nga këta atdhetar të dy dekadave të fundit të shekullit XX dhe në vazhdimësi në dy dekadat e para të shekullit XXI, padyshim është Sami Arifi, një emër i njohur në letrat shqipe. Fillimisht studiues dhe pastaj profesor i fizikës. Magjistër i historisë dhe autor i shumë veprave historike. Krijues i poezisë me motive kryesisht historike. Thënë ndryshe, Sami Arifi shkruan poezi përkushtuese biografike për trima, dijetarë e luftëtarë, për dëshmorë e heronj të luftërave çlirimtare ndër breza.

I lindur në një familje me taban atdhetar, i edukuar në odat tradicionale shqiptare dhe i shkolluar me grada shkencore, qysh në rini ishte brumosur me ide përparimtare e liridashëse. Nip i Ahmet Arifit, i rënë përballë forcave serbe në Mitrovicë dhe pinjoll i atdhetarit Xhemail Arifi, i njohur si Mulla Xhema i Sllatinës, po ashtu i pushkatuar nga çetnikët serbë në masakrën e Gjilanit të fundvitit 1944, bashkë me 8000 shqiptarë tjerë të pafajshëm, Sami Arifii s’kishte si të mos e ndiqte rrugën e të parëve.
Si student i zgjuar, si profesor i fizikës në Viti dhe pastaj si i arratisur në Gjermani, Sami Arifi gjithnjë ka qenë i kyçur në veprimtaritë kombëtare për çlirimin e Kosovës nga okupatori klasik serb. Njeri me shpirt human dhe me ide përparimtare ka mbrojtur kauzën kombëtare, por edhe ka ndihmuar përparimin dhe emancipimin e gjeneratave të reja.

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, Sami Arifi, i përvishet studimit të historisë. Janë të shumta arkivat evropiane në të cilat ka hulumtuar dhe pastaj zbulimi i dokumenteve autentike që lidhen me shqiptarët të cilat, Sami Arifi i ka botuar në libra të veçantë dhe me shumë interes për historiografinë shqiptare.

Sami Arifi si intelektual parimor, si kontribuues dhe pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve politike, arsimore dhe kulturore, gjithnjë ka qenë parimor, pa çka nëse edhe i ka kushtuar. Edhe tani, Samiu përmes shkrimeve dhe kërkesave të njëpasnjëshme kërkon që të ruhen vlerat kulturore. Përmes vargut të tij dhe sidomos përmes shkrimeve të shumta lufton fenomenet negative në shoqëri si nepotizmin, klanet, xhelozitë e shfaqura në shoqërinë tonë të cilat i kanë sjell pasoja të rënda kulturës dhe institucioneve të mirëfillta e profesionale të Kosovës. Për më tepër këto deformime dhe antivlera, u shfaqën nga individ mediokër dhe institucione jokompetente të kapura nga klane të ndryshme.
Veprimtari, historiani dhe krijuesi, Sami Arifi, disa herë ka shfaqur shqetësimin e tij se në këtë grackë kanë rënë edhe shoqatat e shkrimtarëve të cilat në fakt duhet të ishin shembull i krijimit të vlerave shpirtërore, kulturore dhe arsimore të brezave që po vinë. Shkrimtarët gjithnjë duhet ta mbjellin dhe ta ujisin pemën e mirëkuptimit, frymëzimit dhe atdhedashurisë mbi bazën e vlerave të mëdha kombëtare që ka populli shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare…