Sami Lushtaku e quan kastravec Xhelal Sveçlën

07 qershor 2021 | 13:21

Incidenti i të shtunës në mes të një polici dhe anëtarit të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faik Fazliu, ka nxitur reagime të shumta.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe ish-kryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Ai ka thënë se një pamje e tillë ku një ish-pjesëtar i UÇK-së trajtohet në atë formë nga policia e Kosovës është e trishtueshme.

“Realisht e respektoj shumë Policinë e Kosovës sepse është një institucion shumë i respektueshëm, mirëpo ajo që ka ndodh në Prizren me të vërtet është trishtuese me e pa një invalid të luftës në atë mënyrë. Unë nuk e di, unë kam folur me Faik Fazliun, edhe nuk e di qysh ka rrjedh si ngjarje po duke e njohur Faik Fazliun e di për njeri të qetë dhe nuk është njeri i konflikteve. Unë besoj që një shpjegim Policia e Kosovës duhet ta japë”, ka thënë Lushtaku.

Ndërsa një reagim të ashpër, Lushtaku ka pasur ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili pas incidentit ka thënë se “ka kaluar koha e të fortëve” dhe se “askush nuk është mbi ligjin”.

Me këtë rast, Lushtaku e ka quajtur Sveçlën “kastravec”.

“Jo me dal ai ministri si kastravec, e me na tregu se qysh duhet me u sjell e me na tregu se qysh i ka kaluar koha ‘njerëzve të fortë’. Unë mendoj që para ligjit nuk ka njerëz të fortë, por nëse policia është sjellë në atë formë me të vërtet është për keqardhje”, ka shtuar Lushtaku për “Infokusin”.

Kujtojmë se në pamjet e publikuara menjëherë pas rastit shihet se polici e ka shtyrë Fazliun, duke e hedhur për toke, përderisa Inspektorati i Policisë së Kosovës ka nisur hetimet për rastin.

Fillimisht, Fazliu është ndalur nga policia për 48 orë dhe rasti ishte iniciuar “kansoje ndaj policit”, por më vonë ai është liruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Observatori i Futbollit CIES ka hartuar një listë me vlerat…