Samiti i Parisit presim të sjellë qartësi të plotë për dialogun

12 maj 2019 | 12:22

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se shteti i Kosovës pret nga Samiti i Parisit qartësi të plotë për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se partnerët amerikanë dhe evropianë duhet të jenë të një mendje sa i takon dialogut.

“Ne presim që në Samitin e Parisit të ketë qëllime të qarta, parametra për vazhdimin e dialogut shumë më të qarta dhe pritjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të jenë më të qarta, meqë takimi në Paris është biletaral Kosovë – Serbi, natyrisht me pjesëmarrje të Francës dhe Gjermanisë dhe institucioneve të tjera të BE-së, përderisa Samiti i Berlinit ka qenë një samit ku Kosova ka qenë tema kryesore, por jo e vetme, pra ka pasur edhe tema të tjera rajonale. Pritjet tona janë që të ketë qartësi të plotë rreth vazhdimit të dialogut dhe rreth dinamikës së dialogut. Por ende ka kohë, sepse janë edhe disa javë në dispozicion”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka thënë se platforma e miratuar në Kuvend është korniza e vetme politike e cila duhet ta kornizojë mendimin dhe veprimin politik të Kosovës në takimin e Parisit.

“Qëllimet tona janë ato të cilat i kemi përcaktuar me platformën e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Platforma është korniza e vetme politike e cila duhet ta kornizojë mendimin dhe veprimin politik të Kosovës në takimin e Parisit dhe në çdo takim sa herë që kemi të bëjmë me dialogun, sepse dialogu për ne është proces i njëjtë, pavarësisht se ku zhvillohen takimet”, është shprehur Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka deklaruar se dialogu Kosovë – Serbi nuk mund të përmbyllet me një rezultat pozitiv për Kosovën pa mbështetjen e thellë amerikane.

Ai ka thënë se një mbështetje dhe një angazhim amerikan është kyç në këtë proces. Sipas Hoxhajt, letra e presidentit Trump dërguar presidentit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë është kornizë dhe substanca e këtij procesi dialogues.

“Kanë qenë amerikanët të cilët i kanë mbyllur të gjitha marrëveshjet në Ballkan. Përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës përmes kësaj marrëveshje po ashtu mund dhe duhet të përcaktohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht në koordinim me Bashkimin Evropian. Një mbështetje dhe një angazhim amerikan është kyç dhe letra e presidentit Trump e dërguar te presidenti i Kosovës dhe presidenti i Serbisë është korniza dhe substanca e këtij procesi”, ka theksuar Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, cilat janë pritjet e shtetit të Kosovës nga Samiti i Parisit që do të mbahet më 1 korrik?
Hoxhaj: Ne presim që në Samitin e Parisit të ketë qëllime të qarta, parametra për vazhdimin e dialogut shumë më të qarta dhe pritjet që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjeve të jenë më të qarta, meqë takimi në Paris është biletaral Kosovë – Serbi, natyrisht me pjesëmarrje të Francës dhe Gjermanisë dhe institucioneve të tjera të BE-së, përderisa Samiti i Berlinit ka qenë një samit ku Kosova ka qenë tema kryesore, por jo e vetme, pra ka pasur edhe tema të tjera rajonale. Pritjet tona janë që të ketë qartësi të plotë rreth vazhdimit të dialogut dhe rreth dinamikës së dialogut. Por, ende ka kohë, sepse janë edhe disa javë në dispozicion.

“Epoka e re”: Për dallim nga Berlini, jeni optimist se Parisi do të sjellë diçka konkrete?
Hoxhaj: Samiti i Berlinit ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme meqë është rikthyer vëmendja e dy shteteve më të fuqishme evropiane, Gjermanisë dhe Francës, në raport me Ballkanin Perëndimor. Por karakteri i samitit ka qenë multilateral, kanë qenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pritjet e samitit kanë pasur të bëjnë me tema konkrete sikurse dialogu Kosovë – Serbi dhe raportet e tjera bilaterale në mes të dy vendeve. Ka pasur të bëjë edhe me të ardhmen e rajonit, qoftë hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, qoftë mbyllja e kapitujve të caktuar sa i takon Malit të Zi dhe Serbisë, qoftë edhe situata në Bosnje. Ndërsa Samiti i Parisit ka karakter krejt tjetër dhe pritet të shihet se si do të duket dialogu gjatë fazës së ardhshme. Për neve është shumë me rëndësi që të ketë koordinim jo vetëm brenda përbrenda Kosovës, por të ketë koordinim edhe në mes të partnerëve perëndimorë. Duam që t’i shohim partnerët tanë amerikanë dhe partnerët tanë evropianë që janë të një mendje sa i takon dialogut dhe duhet të ketë koordinim edhe në mes shteteve kyçe të perëndimit, sepse në një proces të tillë do të duhej të ballafaqohemi me Rusinë dhe ballafaqimi me Rusinë mund të jetë vetëm nëse Perëndimi është unik rreth pritjeve të rezultateve të dialogut.

“Epoka e re”: Sa ka gjasë që në këtë samit të prezantohet ndonjë plan për marrëveshjen Kosovë – Serbi?
Hoxhaj: Është ende herët dhe nuk dua të spekuloj. Shpresoj se ambasadorët e vendeve gjegjëse, Francës dhe Gjermanisë apo znj. Mogherini, apo edhe vendet e Quintit të dalin me një qartësi para se të ndodhë ky takim. Por, përtej kësaj se çfarë mund të ofrojnë shtetet perëndimore jam i mendimit se ne si Kosovë duhet ta kemi një qartësi të plotë se pse shkojmë në Paris? Cilat janë qëllimet tona në Paris? Dhe cilat janë pritjet tona në Paris? Dhe kjo duhet të komunikohet me partnerët tanë perëndimorë. Këtu duhet të ketë koordinim dhe mendim strategjik nga ana e Kosovës si do të ecim përpara.

“Epoka e re”: Cilat janë objektivat e Kosovës për këtë samit?
Hoxhaj: Qëllimet tona janë ato të cilat i kemi përcaktuar me platformën e miratuar në Kuvendin e Kosovës. Platforma është korniza e vetme politike e cila duhet ta kornizojë mendimin dhe veprimin politik të Kosovës në takimin e Parisit dhe në çdo takim sa herë që kemi të bëjmë me dialogun sepse dialogu për ne është proces i njëjtë, pavarësisht se ku zhvillohen takimet.

“Epoka e re”: Mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet dy vendeve me ndërmjetësimin e Evropës, apo pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të mund të arrihet një gjë e tillë?
Hoxhaj: Dialogu zhvillohet në Bruksel dhe Brukseli është platformë e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi. Bashkimi Evropian, pas rezolutës së miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Sigurimit në shtator të vitit 2010, është ngarkuar që ta fasilitojë dialogun, por tema e Kosovës në raport me Serbinë është e natyrës globale dhe kjo mund të mbyllet vetëm në Këshill të Sigurimit. Marrëveshja që nënshkruan Kosova dhe Serbia mund të jetë e përhershme dhe përfundimtare vetëm nëse e votojnë shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit. Prandaj, dialogu Kosovë – Serbi nuk mund të përmbyllet me një rezultat pozitiv për Kosovën pa mbështetjen e thellë amerikane. Kanë qenë amerikanët të cilët i kanë mbyllur të gjitha marrëveshjet në Ballkan. Përmbyllja e shtetndërtimit të Kosovës përmes kësaj marrëveshje, po ashtu mund dhe duhet të përcaktohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, natyrisht në koordinim me Bashkimin Evropian. Një mbështetje dhe një angazhim amerikan është kyç dhe letra e presidentit Trump e dërguar te presidenti i Kosovës dhe presidenti i Serbisë është kornizë dhe substanca e këtij procesi.

“Epoka e re”: Si e shihni dialogun Kosovë – Serbi pas Samitit të Parisit?
Hoxhaj: Aktualisht dialogu është në ngërç. Dialogu është temë e vdekur. Si Kosovë duhet të mendojmë se cilat janë interesat tona strategjike. E di se në opinion publik qytetarët e Kosovës nuk e shohin si popullor temën e dialogut, por mendoj se ne si institucione të Kosovës kemi mandat për ta përmbyllur këtë temë dhe ta anëtarësojmë Kosovën në OKB. Do të varet shumë prej takimit në Paris se si mund të vazhdohet përpara, por aktualisht dialogut është në ngërç.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme, a prisni një qasje të re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, edhe për Kosovë dhe dialogun me Serbi në veçanti?
Hoxhaj: Pas zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian pres një qartësi për vizat dhe një vendimmarrje në qershor për vizat. Kjo do ta rriste kredibilitetin e BE-së në sytë e qytetarëve të Kosovës edhe të lidershipit. Sa i përket dialogut jemi të përkushtuar që ky proces të vazhdojë dhe besoj se do të ketë koordinim në mes të institucioneve të BE-së dhe shteteve kyçe të BE-së se si të vazhdohet më tutje.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bardhyl Mahmuti -Dick Marty është shëndosh e mirë sa…