Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë: Ballkani Perëndimor brenda 2030-s në BE

16 tetor 2023 | 13:41

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor u pritën sot në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë, për të vazhduar më pas Samitin e Procesit të Berlinit.

Pas ceremonisë së pritjes, liderët iu drejtuan Piramidës, aty ku po zhvillohen punimet e Samitit.
Në hyrje të Samitit, kryeministri Edi Rama vuri theksin te ndasitë mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar. “Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme mes anëtarëve të BE-së dhe jo anëtareve. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë. A mund t’i përballojmë këto ndasi? Premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese që ka sjellë”, ka pohuar ai.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njëherazi ‘arkitekti’ i Procesit të Berlinit, tha se samiti i Procesit të Berlinit provoi rëndësinë e pamohueshme të Ballkanit Perëndimor në union.

Sipas Scholzit, ndikimi i marrëveshjeve të firmosura vitin e kaluar të Procesit të Berlinit kanë qenë konkrete dhe priten edhe të tjera. Megjithatë, pas agresionit në veri të Kosovës, ka ardhur koha që të tejkalohen konfliktet që mbajnë rajonin në vend numëro.

“Të nderuar kolegë që jemi mbledhur këtu, ne e dimë që kemi një situatë shumë të pazakontë jo shumë larg nesh me agresionin e Hamasit kundër Izraelit dhe të gjitha pasojat që ka edhe do të ketë. Dhe po, edhe krizat e shumëfishta këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë theksuar nevojën emergjente për të punuar së bashku dhe tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar për një kohë shumë të gjatë duke ju mbajtur juve në vend numëro. Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne do të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja. Dhe jam shumë i kënaqur që për herë të parë ky samit organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai, duke shtuar se është një sinjal i fortë që tregon në këtë rast pronësinë që ka rajoni në këtë proces.

“Ne duhet ta përdorim këtë rast për t’u përqendruar tek të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe ky është integrimi dhe ecuria e mëtejshme në rrugëtimin drejt BE-së. Vitin e shkuar ju keni marrë disa hapa madhore në lidhje me nënshkrimin e tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë dhe jam shumë mirënjohës që 4 nga 6 shtete i kanë ratifikuar ato deri më tani. Ndikimi i tyre tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor është vërtetë konkret, sepse qytetarët mund të lëvizin me kartë identiteti, mund të kryejnë studimet. Ecuria që do të keni sa i përket zhvillimit të brendshëm rajonal është vërtetë i rëndësishëm dhe për këtë mund të mbështeteni tek Gjermania, tek qeveria jonë. Ky është procesi i Berlinit, le të vijojmë duke bërë gjithçka realitet”, ka thënë Scholz.

Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Michel tha se të dyja palët duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030.

“Zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë e BE-së dhe anëtarëve tanë të ardhshëm. Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në BE. Ka qenë një rrugë shumë e ngadaltë. Zhgënjyese. Por tani, besoj që duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-n për t’u zgjeruar. Lufta në Ukrainë e ka përqendruar vëmendjen tonë te zgjerimi”, ka deklaruar ai.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tregoi qëllimin e unionit për t’i dhënë qasje Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian.

“Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët evropian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Evropian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”, ka theksuar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besfort Kasumi është deleguar nga UEFA në cilësinë e vëzhguesit…