Samiti në Alaskë: Marrëveshje sipas Putinit, Trump thotë progres

16 gusht 2025 | 01:47

Presidenti rus, Vladimir Putin, në një konferencë të përbashkët për gazetarë me homologun amerikan, Donald Trump, pas takimit të tyre në Alaskë të ShBA-së, ka thënë se ka arritur një marrëveshje me të dhe shpreson se Ukraina nuk do ta pengojë procesin e përfundimit të luftës.

Putini nuk ofroi hollësi për atë se në lidhje me çka ishte arritur marrëveshja, shkruan gazeta “The Guardian”.

Ai gjithashtu e përsëriti kërkesën e tij të shpeshtë se shkaktarët rrënjësorë” të konfliktit duhet të adresohen.

Në të kaluarën, Putini ka thënë se në mesin e këtyre shkaktarëve përfshihet Qeveria e Ukrainës, për të cilën pretendon në mënyrë të pasaktë se udhëhiqet nga nazistët.

Putini theksoi se Trumpi ka pretenduar që lufta e shkallës së plotë nuk do të kishte ndodhur, nëse Trumpi do të ishte president dhe se ai pajtohet me këtë vlerësim.

Më tej, kreu i Kremlinit tha se ai është “sinqerisht i interesuar” që t’i japë fund konfliktit, të cilin e përshkroi si “tragjedi”, por shtoi se Rusia duhet t’i eliminojë “shkaktarët rrënjësorë” të luftës dhe paralajmëroi që Ukraina dhe Evropa nuk duhet t’i “sabotojnë” bisedimet.

Putini e përshkroi takimin me Trumpin si “pikënisje për zgjidhje” të konfliktit.

Në anën tjetër, presidenti amerikan u shpreh më i rezervuar sa i përket progresit, duke thënë se “s’ka marrëveshje pa pasur marrëveshje”.

Ai shtoi se “progres i madh” u arrit gjatë bisedimeve në Alaskë, por “ne nuk arritëm atje [te marrëveshja]”.

“Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyeshme me presidentin Putin. Vladimir” – tha Trumpi, duke iu drejtuar homologut rus në emër.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se takimi ishte “tepër produktiv”, por shtoi se për disa gjëra ende nuk është vendosur.

Sidoqoftë, amerikani tha se “kemi një gjasë shumë të mirë” për progres të mëtejmë.

Trumpi nuk foli gjatë në konferencë dhe e shpalli atë të mbyllur duke e falënderuar Putinin e duke i shtrënguar duart me të.

Ai tha se do të bisedojë shumë shpejt përsëri me Putinin dhe ndoshta edhe do të shihet me të. Putini ia ktheu anglisht: “Herën tjetër në Moskë.”

Presidentët e dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë nuk pranuan pyetje nga gazetarët./Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Putin thotë se si SHBA-ja ashtu edhe Rusia, “edhe pse…