
Sanksionet dhe tribunali i luftës në agjendën e ministrave të BE-së
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen në Varshavë, këtë javë, për një takim joformal këshilli, dhe më pas do të nisen drejt Lvivit në shenjë solidarizimi me Ukrainën para festimeve të mëdha për Ditën e Fitores në Rusi.
Pak hapa konkretë priten të ndërmerren qoftë në Poloni, më 7 dhe 8 maj, qoftë një ditë më vonë në qytetin perëndimor të Ukrainës, pasi këta nuk janë këshilla zyrtarë të BE-së.
“Në përputhje me natyrën joformale të takimit, dhe duke pasur parasysh natyrën më intime [vetëm ministra] të tubimit, inkurajojmë kontributin e të gjithëve për një diskutim vërtet të hapur dhe të paplanifikuar”, thuhet në një letër mirëseardhjeje për takimin e Varshavës, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.
“Në këtë frymë, rekomandojmë që sesionet tona të punës të zhvillohen pa përkthim dhe pa pajisje elektronike. Jini, po ashtu, të lirë të zgjidhni veshje gjysmëformale gjatë takimit”, thekson letra.
Por, natyra joformale nuk do të thotë që takimeve do t’ju mungojnë zyrtarët e nivelit të lartë.
Ato do të mbahen në një kohë kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po kërkon të tërheqë vëmendjen e botës me një paradë masive ushtarake, para dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota.