Sanksionet e SHBA, gjiganti rus i naftës nxjerr në shitje asetet jashtë vendit

27 tetor 2025 | 22:35

Gjigandi rus i naftës Lukoil do të shesë asetet e tij jashtë shtetit, tha kompania të hënën vonë, pasi u godit nga sanksionet e SHBA-së për shkak të luftës në Ukrainë.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump javën e kaluar e goditi Rusinë me paketën e tij të parë të rëndësishme të sanksioneve, duke synuar dy kompani kryesore të naftës, Lukoil dhe Rosneft, pasi tha se ishte i frustruar që Moska nuk e kishte ndaluar ofensivën e saj.

“Për shkak të futjes së masave kufizuese kundër kompanisë dhe degëve të saj nga disa shtete, kompania njofton qëllimin e saj për të shitur asetet e saj ndërkombëtare,” tha Lukoil në një deklaratë.

Ajo shtoi se procesi i ofertave ka filluar tashmë.

Pas një stuhie diplomatike këtë vit dhe bisedimeve të para të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës në më shumë se tre vjet, përpjekjet për t’i dhënë fund luftës kanë ngrirë me pak shenja përparimi.

Pak para futjes së sanksioneve, Trump kishte anuluar një samit të planifikuar me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, i cili tha se masat ishin “serioze”, por jo të mjaftueshme për të shtypur ekonominë ruse, e cila tashmë është nën kufizime të shumta ndërkombëtare.

Sanksionet do të ngrinin të gjitha asetet e Rosneft dhe Lukoil në Shtetet e Bashkuara dhe do t’u ndalonin kompanive amerikane të bënin biznes me to.

Dy kompanitë, të cilat përbëjnë 55% të prodhimit të naftës së Rusisë, u vendosën gjithashtu në listën SDN të subjekteve të sanksionuara, një regjistër i ndjekur nga shumë vende dhe i frikshëm në botën e biznesit.

Uashingtoni u dha firmave që punojnë me subjektet ruse një muaj për të ndërprerë lidhjet ose për t’u përballur me sanksione dytësore, të cilat do t’u mohonin atyre aksesin në bankat, tregtarët, transportuesit dhe siguruesit amerikanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në…