
Sara Pllana fiton medaljen e artë në Slloveni – Sukses i madh për gjimnastikën kosovare
Në garën prestigjioze ndërkombëtare Salamunov Memorial, e mbajtur në Maribor të Sllovenisë, gjimnastet nga Kosova kanë shënuar një paraqitje të shkëlqyer, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme.
Sara Pllana, në konkurrencën e fortë të kategorisë juniorë, ka arritur të fitojë medaljen e artë në disiplinën Parter, me një rezultat të lartë prej 11.900 pikësh. Ajo gjithashtu është renditur në vendin e tretë në disiplinën Kapërcime, me 11.725 pikë. Edhe gjimnastja Kaltrina Thaçi ka shënuar sukses të madh në kategorinë seniore, duke u kualifikuar në finale në Kapërcime me një notë mesatare prej 12.525 pikësh – rezultat që përbën rekordin më të lartë të arritur ndonjëherë nga një gjimnaste kosovare në këtë disiplinë. Në kategorinë Youth, gjimnastja Fernaze Cakaj ka fituar vendin e tretë në 4-garësh, me një rezultat të përgjithshëm prej 43.366 pikësh.
Paraqitje të mira kanë pasur pothuajse të gjitha gjimnastet pjesëmarrëse nga Kosova, të cilat po dëshmojnë progres të vazhdueshëm dhe rritje cilësore në skenën ndërkombëtare të gjimnastikës. Në këtë garë morën pjesë 10 garuese nga Kosova, të udhëhequra nga trajnerët e klubeve dhe Kryetari i Federatës së Gjimnastikës së Kosovës (FGJK), Shkumbin Maqastena.
FGJK-ja dhe gjimnastet e saj kanë qenë të pranishme me sukses edhe në gara ndërkombëtare të mëparshme në Itali dhe Maqedoninë e Veriut, duke sjellë rezultate gjithnjë e më premtuese për të ardhmen e këtij sporti në vend.