
Sarkozy pas dënimit me pesë vjet burg: Do të fle në qeli, por me kokën lart
Ish-presidenti francez , Nicolas Sarkozy, tha se do të “flejë në burg, por me kokën lart” pasi mori një dënim me pesë vjet burg për konspiracion kriminal – hera e parë që një ish-kryetar shteti dërgohet në burg në historinë moderne franceze.
Vendimi dhe dënimi pasuan një gjyq në të cilin ai dhe ndihmësit e tij u akuzuan për lidhjen e një pakti korrupsioni me regjimin e diktatorit të ndjerë libian Muamar Gadafi për të marrë fonde për fushatën zgjedhore presidenciale franceze të vitit 2007.
Në një vendim të papritur, kryegjyqtarja, Nathalie Gavarino, dha një formë të veçantë dënimi që do të thotë se Sarkozy, 70 vjeç, do të duhet të vuajë një dënim me burg edhe nëse apelon. Ajo e justifikoi këtë veprim me arsyetimin se veprat penale ishin të “rëndësishme” dhe “ka të ngjarë të minonin besimin e qytetarëve”.
Fillimi i dënimit të Sarkozisë do të caktohet në një datë të mëvonshme. Prokurorëve u është dhënë një muaj kohë për ta informuar atë se kur duhet të shkojë në burg. Gjykatësi urdhëroi gjithashtu Sarkozinë, presidentin e krahut të djathtë të Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012, të paguajë një gjobë prej 100,000 eurosh (87,000 paund).
Dënimi i tij ishte më i ashpër nga sa ishte pritur. Ndërsa po largohej nga salla e gjyqit, ai shprehu zemërimin e tij në një stil tipik “grindavec”, duke u thënë gazetarëve: “Ajo që ndodhi sot… është jashtëzakonisht e rëndë në lidhje me sundimin e ligjit dhe për besimin që mund të kesh në sistemin e drejtësisë. Nëse duan absolutisht që unë të fle në burg, do të fle në burg, por me kokën lart.
Sarkozi, i cili kishte mohuar të gjitha shkeljet në gjykatë, tha se do të apelonte kundër vendimit. “Unë jam i pafajshëm. Kjo drejtësi është një skandal. Ata që më urrejnë kaq shumë mendojnë se do të më poshtërojnë. Por ajo që kanë poshtëruar sot është Franca, imazhi i Francës”, tha ai.
Ish-presidenti u shpall fajtor për konspiracion kriminal, por u lirua nga akuzat për korrupsion, keqpërdorim të fondeve publike libiane dhe financim të paligjshëm të fushatës zgjedhore.