
SBAShK-u: Koeficientet janë të papranueshëm, greva vazhdon
Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) në takimin e jashtëzakonshëm të së mërkurës ka marrë vendim për vazhdimin e grevës, duke i konsideruar të papranueshëm koeficientet për sistemin e arsimit në Projektligjin për paga.
“Koeficientet e aprovuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, janë pothuajse të ngjashme me ofertën e kryeministrit, dhe përveç se nuk kanë plotësuar kërkesat e punëtorëve arsimor në Kosovë, këta koeficientë përveç dallimeve të mëdha me sektorë të tjerë, kanë të meta të mëdha edhe brendapërbrenda tërë sistemit arsimor. Në veçanti kritikë e madhe këtij tabelari iu dha koeficientit për drejtor dhe zëvendësdrejtor për të gjithë institucionet arsimore por edhe koeficienteve të tjerë. Duke analizuar gjithë këto, Këshilli Drejtues se bashku me kryetarët e sindikatave komunale të arsimit parauniversitar dhe ata të universiteteve vendosën njëzëri që t’i shpallin të papranueshëm për punonjësit e arsimit këta koeficientë dhe të vazhdohet me grevë edhe në ditët në vijim”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
Po ashtu, Këshilli Drejtues i SBAShK-ut ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministri Mahir Yagçilar dhe ministri Shyqiri Bytyqi, që të tërhiqet Projektligji për paga në mënyrë që ky projektligj të rishikohet në një situatë të re dhe pa tensione.