
SBAShK-u me kërkesa të reja për zëvendësimin e orëve të humbura
Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) nëpërmjet një komunikate për medie, ka bërë më dije se orët e humbura gjatë grevës mund të zëvendësohen në fund të vitit, në rast se koeficientet për mësimdhënësit e ciklit klasor barazohen me koeficientet e mësimdhënësve të ciklit lëndor.
Për këtë çështje kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjollca Shala, Bardh Bardhi kryetar i sindikatave të universiteteve, Rexhep Sadiku kryetar i Kuvendit të Arsimit të Mesëm të Lartë të Kosovës dhe Blerim Mehmeti kryetar i Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët të Kosovës është takuar me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe zëvendësministrin Arber Geci.
Po në këtë takim, është diskutuar rreth situatës aktuale të krijuar në arsimin parauniversitarë të Kosovës.
Jasharaj ka paraqitur qëndrimin e Këshillit Drejtues të SBAShK-ut të cilët janë të vendosur ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës pasi janë të mendimit që verdikti përfundimtar do të jetë në favor të tyre.
“Kryetari i SBAShK-ut në këtë takim paraqiti edhe një mundësi para ministrit Bytyqi që kjo gjendje të zhbllokohet nëse ministri Bytyqi bashkërisht me deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate dhe deputetët e partive tjera të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të përmirësimit të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor 1 deri 5 në Ligjin e pagave dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët 6 deri 9 pasi Ligji i pagave është në fuqi dhe ka dalë në gazetën zyrtare, ndërsa zbatimi i tij fillon në fund vit dhe në këtë rast SBAShK-u do të merr për obligim të bisedoj me mësimdhënësit që në fund vitin shkollor 2018/2019 të zëvendësojnë një javë në shenjë të vullnetit të mirë për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.
Pas këtij takimi Kryesia e SBAShK-ut në një takim të jashtëzakonshëm ka shqyrtuar ftesën e bërë nga Komisioni Parlamentar për Arsim dhe një ftesë të tillë i është bërë edhe MAShT-it dhe ka vendosur që në emër të SBAShK-ut të merr pjesë nënkryetarja e SBAShK-ut Vjollca Shala dhe kryetari i Arsimit Fillor Blerim Mehmeti të cilët do të paraqesin qëndrimin e anëtarësisë së SBAShK-ut.
/Epoka e re/