Schmitt: Kadare e kritikoi librin tim “Skënderbeu” pa e lexuar fare

29 mars 2022 | 22:41

Historiani i njohur Oliver Schmitt, i cili pas botimit të monografisë “Skënderbeu” ishte përballur me një reagim të ashpër të publikut shqiptar, ka folur për kritikat në adresë të tij, duke thënë se shumë nga gjërat që u debatuan nuk gjenden fare në libër.

Ndër kritikët e shumtë ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, i cili librin e cilësonte si “sulm kundër lirisë” dhe “turp për kombin shqiptar”.

Schmitt, në “Rubikon” me Adriatik Kelmendin, tha se Kadare e kishte kritikuar këtë libër pa e lexuar fare.

“Unë mendoj që kur Kadare e ka bërë këtë deklaratë nuk kishte mundësi të lexonte këtë libër, sepse e ka dhënë këtë intervistë disa ditë pas prezantimit të librit në Tiranë, që do të thotë ai ka folur për një libër, të cilin nuk e kishte lexuar.”

“Unë mendoj që gjerat që u debatuan edhe në mjedisin publik në Shqipëri nuk gjenden në libër. Unë nuk kam shkruar asnjëherë që Skënderbeu kishte prejardhje serbe, kjo nuk gjendet në libër dhe nuk është një fakt historik. Për mua kjo pasqyron një frikë, frikë që një i huaj vjen dhe na e vjedh Skënderbeun”.

Historiani zviceran tutje tha se çmitizimi i figurës së Skënderbeut nuk ishte qëllimi i librit, derisa shtoi se në interpretimin e tij Skënderbeu paraqitet si një nga figurat më të çmuara në historinë e Ballkanit.

“Qëllimi i librit është rindërtimi klasik, historik i një figure madhështore dhe në interpretimin tim Skënderbeu është një nga figurat më të çmuara dhe madhështore në historinë e Ballkanit. Kjo edhe mund të lexohet në këtë libër, por nga ana tjetër edhe unë personalisht kam mësuar shumë edhe nga mekanizmat për dinamiken e një debati publik në një shoqëri, në të cilën mendoj që një historian nuk është intelektual i cili ndjek vetëm një qëllim shkencor, por një historian është një burrë në shërbim të një shteti, ose në shërbim të forcave të shtetit edhe Kadareja ka përdorur një teori konspirative se ishte edhe viti i Pavarësisë së Kosovës, ai fliste edhe për majën e ‘ajsbergut’, një konspiracioni serb kundër shqiptarëve”.

“Unë gjithmonë, edhe në shkrimet, edhe në ndërhyrjet, edhe në intervistat e mia në debatin publik, e kam mbështetur gjithmonë që nga fillimi pavarësinë e Kosovës, do të thotë që as ky argument nuk ka asnjë bazë, por nga ana tjetër natyrisht kjo tregon një mentalitet dhe ky mentalitet është një prodhim, trashëgimi e periudhës enveriste se si perceptohet historia, historia është një resurs politik, nuk është rezultat i kërkimeve njerëzore por historia bëhet gjithmonë me qëllime politike.

Natyrisht është një keqkuptim i madh, edhe unë e kam kuptuar, jam përpjekur të diskutoj edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, edhe në Shqipëri dhe unë kisha gjithmonë përshtypje që ata me të vërtetë e kanë lexuar librin, kanë kuptuar që gjërat diskutohen në mjedisin publik, janë një debat kot, sepse nuk themelohet në gjërat që gjenden në librin tim”.

Schmitt tha se në librin e tij është munduar ta paraqesë Skënderbeun në kontekstin shoqëror dhe ekonomik të mesjetës, duke vënë në pah talentin e tij si udhëheqës politik dhe ushtarak.

“Skënderbeu ishte në atë kohë një nga figurat më të rëndësishme, më të shquara, i cili ka mobilizuar të gjitha resurset e krahinave në kontrollin e tij, krahinat ishin Dibra dhe Mati.

Në mesjetë Dibra dhe Mati nuk kishin ndonjë superfuqi dhe unë jam përpjekur të vë edhe Skënderbeun në një kontekst shoqëror dhe ekonomik, por unë mendoj që kjo tregon edhe talentin e tij si udhëheqës politik dhe ushtarak, ai ka ditur të mobilizonte jo vetëm resurset e brendshme edhe kundër një opozite të brendshme shumë të fortë, sepse jo të gjithë shqiptarët e kanë mbështetur Skënderbeun, jugu nuk ka marrë pjesë në kryengritje, në Shqipërinë e veriut Shkodra ishte në anën e Venedikut, dukagjinasit ishin armiq të rreptë të Skënderbeut, situata e brendshme ishte mjaft e ndërlikuar, por jo atipike për jetën politike të shqiptarëve, ndarja ishte diçka mjaft e zakonshme deri në ditët e sotme, por nga ana tjetër mobilizimi dhe mbështetja nga jashtë, nga Venediku, nga Napoli, organizimi edhe diplomatik dhe logjistik i luftës janë të gjitha gjëra që mund të lexohen në këtë libër dhe unë mendoj se si përmbajtje Skënderbeu del si hero nga ky libër”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa anëtarë të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë,…