
Scholz: Kosova e Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, ka thënë se ky proces është instrumenti më i mirë jo vetëm që të çlirohet potenciali i plotë i bashkëpunimit rajonal por edhe për të përshpejtuar integrimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Scholzit, ndikimi i marrëveshjeve të firmosura vitin e kaluar në kaudër të Procesit të Berlinit ka qenë konkret dhe priten edhe të tjera.
Megjithatë, pas agresionit në veri të Kosovës, ai ka theksuar se ka ardhur koha që të tejkalohen konfliktet që mbajnë rajonin në vend numëro.
“Të nderuar kolegë që jemi mbledhur këtu, ne e dimë që kemi një situatë shumë të pazakontë jo shumë larg nesh me agresionin e Hamasit kundër Izraelit dhe të gjitha pasojat që ka edhe do të ketë. Dhe po, edhe krizat e shumëfishta këtu në rajonin e Ballkanit Perëndimor kanë theksuar nevojën emergjente për të punuar së bashku dhe tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar për një kohë shumë të gjatë duke ju mbajtur juve në vend numëro. Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne do të përfundojmë më në fund zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anën e dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja. Dhe jam shumë i kënaqur që për herë të parë ky samit organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai, duke shtuar se është një sinjal i fortë që tregon në këtë rast pronësinë që ka rajoni në këtë proces.
“Ne duhet ta përdorim këtë rast për t’u përqendruar tek të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe ky është integrimi dhe ecuria e mëtejshme në rrugëtimin drejt BE-së. Vitin e shkuar ju keni marrë disa hapa madhore në lidhje me nënshkrimin e tri marrëveshjeve të lëvizshmërisë dhe jam shumë mirënjohës që 4 nga 6 shtete i kanë ratifikuar ato deri më tani. Ndikimi i tyre tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor është vërtetë konkret, sepse qytetarët mund të lëvizin me kartë identiteti, mund të kryejnë studimet. Ecuria që do të keni sa i përket zhvillimit të brendshëm rajonal është vërtetë i rëndësishëm dhe për këtë mund të mbështeteni tek Gjermania, tek qeveria jonë. Ky është procesi i Berlinit, le të vijojmë duke bërë gjithçka realitet”, ka thënë Scholz.