Schweinsteiger: Kloppi është njeriu i duhur për Gjermaninë
Legjenda e futbollit gjerman, Bastian Schweinsteiger, beson se Jurgen Klopp duhet të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares së Gjermanisë, pas eliminimit zhgënjyes të ekipit nga Kupa e Botës 2026.
Sipas tij, ish-trajneri i Liverpoolit është njeriu që mund t’ia rikthejë optimizmin dhe identitetin futbollit gjerman.
Gjermania u eliminua në fazën e 1/16 së finales nga Paraguai, duke humbur 4:3 pas penalltive, pas një ndeshjeje që tronditi opinionin sportiv. Ishte hera e parë në histori që “Die Mannschaft” humbte një seri penalltish në Kupën e Botës, ndërsa disfata ndaj një kundërshtari të renditur 31 vende më poshtë në renditjen e FIFA-s ka shtuar presionin mbi trajnerin Julian Nagelsmann.
Duke folur për televizionin ARD, Schweinsteiger u shpreh i bindur se Klopp mund të marrë drejtimin e kombëtares.
“Besoj se kjo do të ndodhë. Sigurisht, asgjë nuk është e sigurt, por kam ndjesinë se Klopp do të bëhet trajner i Gjermanisë. Ai do të sillte një autoritet të madh dhe një optimizëm të ri në kombëtare”, ka deklaruar kampioni i botës me Gjermaninë.
Edhe pse Nagelsmann ka kontratë deri në vitin 2028, e ardhmja e tij tashmë është vënë seriozisht në pikëpyetje. Drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), përfshirë presidentin Bernd Neuendorf, zëvendëspresidentin Hans-Joachim Watzke dhe drejtorin sportiv Rudi Völler, pritet të zhvillojnë takime në ditët në vijim për të analizuar dështimin në Botëror.
Schweinsteiger ka kritikuar ashpër edhe drejtimin që ka marrë futbolli gjerman në vitet e fundit, duke thënë se kombëtarja ka humbur ADN-në që e bënte dikur të frikshme për çdo kundërshtar.
“Ish-bashkëlojtarët më thonë se kemi humbur ADN-në tonë. Prej vitesh kemi kërkuar vetëm zgjidhje futbollistike dhe kemi lënë pas dore cilësitë që na bënin të respektoheshim në mbarë botën. Tani nuk kemi më as cilësinë teknike dhe as forcën fizike për të konkurruar me skuadra si Meksika. Nuk është më rastësi që jemi eliminuar herët në tre Botërorë radhazi”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Klopp ka zgjedhur të mos ushqejë spekulimet. Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili aktualisht mban postin e drejtorit global të futbollit te Red Bull, është shprehur se nuk është momenti për të folur për një mundësi të tillë.
“Nuk kam menduar ende për këtë. E kuptoj që emri im përmendet sa herë diskutohet posti i trajnerit të kombëtares, por tani nuk është koha për të folur për këtë çështje”, ka deklaruar Klopp.




