Së paku 40 të vdekur nga vërshimet në Afganistan

29 korrik 2021 | 14:43

Banorët e fshatrave të Afganistanit po kërkojnë dëshpërimisht për të mbijetuar, pasi vërshimet përfshinë një luginë të ngushtë në një zonë të kontrolluar nga talibanët, duke lënë të vdekur së paku 40 persona e duke shkatërruar dhjetëra shtëpi.

Sigurimi i të dhënave të besueshme nga zona e prekur është proces i vështirë, sipas zyrtarëve afganë, sepse distrikti Kamdesh ka rënë në kontrollin e talibanëve dhe atje ka rrjet të dobët telekomunikimi.

“Sipas informacioneve fillestare, 60 shtëpi janë shkatërruar dhe rreth 100 njerëz janë zhdukur”, ka thënë Samiullah Zarbi, zëdhënës i Ministrisë Shtetërore për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Banorët kanë nxjerrë rreth 40 trupa nga uji dhe nga rrënojat e shtëpive të shembura, tha Saadullah Payenda Zoy, kryetar i këshillit provincial, për agjencinë “Reuters”.

Talibanët kanë thënë se do t’u lejojnë qasje të sigurt në zonë agjencive humanitare.

“Për fat të keq, gjysma e fshatit, që ka më shumë se 100 shtëpi, është rrënuar nga vërshimet e dhunshme mbrëmjen e kaluar dhe fatkeqësisht, mbi 100 njerëz janë të vdekur ose të zhdukur”,  ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zaibullah Mujahid.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i PSG-së, Kilyan Mbappe ende nuk e ka rinovuar…