Seanca e radhës për drejtuesit e UÇK-së do të mbahet në mes të dhjetorit

18 nëntor 2020 | 15:00

Konferenca e radhës për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të mbahet në mes të muajit dhjetor.

Prokurorja Clare Melany Lawson nuk ka propozuar ndonjë datë, por ka thënë se janë në dispozicion të gjykatës kurdo që caktohet konferenca e radhës, raporton “Epoka e re”.

“Nuk kemi ndonjë parashtrim të veçantë për këtë. Ne, për momentin, po përmbushim detyrimet tona për nxjerrjen e materialeve. Megjithatë, jemi në dispozicion kurdo që të dojë gjykata”, ka thënë ajo.

Avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, ka thënë se mesi i muajit dhjetor është kohë e përshtatshme.

“Varet nga objektivat që do të plotësohen, apo gjërat që do të diskutohen për të justifikuar mbajtjen e një seance apo konference për ecurinë e çështjes. Megjithatë diku ka mesi i dhjetorit mund ta bëjmë një seancë të tillë”, ka thënë ai.

Edhe avokati i Kadri Veselit është pajtuar me një gjë të tillë.

“Diku nga mesi i dhjetorit duket e arsyeshme, por nuk duhet që kjo të paragjykojë seancën për aplikimin për liri me kusht – që mund të mbahet më herët”, ka thënë Ben Emmerson.

Mesi i muajit dhjetor është parë si kohë e përshtatshme për mbajtjen e seancës së radhës edhe nga avokati i Rexhep Selimit, David Young, dhe avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra.

Avokatët mbrojtës të katërshes së UÇK-së janë pajtuar që seanca e radhës të mbahet në muajin e ardhshëm, duke shtuar se seanca për aplikimin për liri me kusht për klientët e tyre mund të mbahet më herët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk i ka dhënë mbështetje…