Seanca fillestare për rezervën shtetërore, Hajdari pas daljes nga gjykata akuzon Prokurorinë Speciale

13 janar 2026 | 13:11

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka dalë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ajo nuk është përgjigjur në insistimin e gazetarëve, nëse një dokument është sekret dhe të cilin e ka pasur edhe një “furragji”, pra Ridvan Muharremi.

Në vend të kësaj, Hajdari ka zgjedhur ta akuzojë Prokurorinë Speciale.

“Sot ishit prezentë në seancë. Unë isha në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore për aktakuzën nga Prokuroria Speciale për rezervën, përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme, sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për rezervat dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Më e rëndësishmja është të theksoj që qytetarët të mos brengosen për rezervën shtetërore, të cilën e kemi rritur në qeverinë Kurti 2, në kohën më të vështirë. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur, dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksport të produkteve bazike për qytetarët tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam rezervën”, ka thënë Hajdari.

Më tutje, Hajdari ka thënë se Prokuroria Speciale ka bërë veprime të paligjshme.

“Për këtë proces që është tejet i rëndësishëm për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit, Prokuroria e shkeli ligjin, përkundër që kemi pasur e jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre. Prokuroria Speciale nuk po e përfill ligjin, po vazhdon pa përfillur procedurat të ligjit. Ashtu si unë e mbrojtja ime jemi të bindur për këto veprime të paligjshme, këtë do ta dëshmojmë deri në fund”, ka thënë Hajdari.

E pyetur pse ia ka dhënë dokumentet Ridvan Muharremit pa pasur certifikatë të sigurisë, ajo ka thënë se nuk i lejohet të flas.

“Ju sot jeni larguar nga seanca, sepse ka qenë e mbyllur. Nuk më lejohet asgjë të deklarohem për procesin në seancë të mbyllur”, ka thënë Hajdari.

Avokati i Rozeta Hajdarit, Florent Latifaj, ka theksuar se dokumentet në rastin e rezervës shtetërore, nuk mund të shihen as nga gjyqtarët e as prokurorët.

“As ne avokatët, as policët nuk kemi të drejtë t’i shohim këto dokumente. Madje, sipas ligjit, qasje nuk duhet të ketë as prokurori dhe as gjyqtari” ka deklaruar Latifaj në seancë, por ka “harruar” se ato dokumente i ka parë personi privat, Ridvan Muharremi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dokumente të dyshimta që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe…