Seanca nis me përplasje në mes të Konjufcës  dhe Tahirit

11 maj 2022 | 13:09

Seanca e sotme e Kuvendit ka nisur me një mosmarrëveshje në mes të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit.

Tahiri e ka marrë fjalën i pari duke shtruar dy pyetje, për të cilat siç duket, nuk ishte marrë vesh me Konjufcën.

“Pyetja e parë është si është e mundshme që për një muaj e gjysmë jemi maltretuar në këtë Kuvend, deputetë e deputete të Kuvendit kanë dalë kanë thënë se komisioni hetimor është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Pyetja ime është shumë e thjeshtë: a është ky komision hetimor në kundërshtim me këtë ligj, dhe nëse është, pse e keni bërë”.

“Pyetja e dytë për ju është: A duhet me e marrë shishen me i mëshu kështu, për me e marrë vesh dhe me i sjellë ligjet që i keni? A duhet me i mëshu tavolinës me ju thënë bjereni ligjin e pagave?”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Tahiri e ka keqpërdorur “fort” foltoren e Kuvendit.

“Z. Tahiri, për herë të parë po të them në Kuvend që sapo e keqpërdore fort keq foltoren e Kuvendit. Ja kështu s’bën hiç. Shumë gabim je. Ta dhashë fjalën për tjetër gjë”.

“Trego, thuaj po dua me fol për komisionin hetimor parlamentar”, ka thënë ai, duke i kërkuar t’i respektojë rregullat parlamentare.

Pasi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur për një debat parlamentar të cilin ka propozuar ta shtyjnë për shkak të mungesës së kryeministrit, Konjufca i ka thënë Besnik Tahirit ta marrë shembull kolegun nga opozita.

“E ke një shembull se si bëhet mocioni, z. Tahiri”, ka thënë Konjufca.

“Nuk kam nevojë kryetar me më treguar t’i për shembuj. Shembullin ke mundur me të bëjë mos me u vonuar një muaj e gjysmë, e me e thirr Kryesinë e me lëvizë…”, ia ka kthyer Konjufcës, Abelard Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Patrullat policore nga Njësia e Reagimit të Shpejtë Prizren dhe…