Sejdiu: 48 për qind e qytetarëve nuk mund të përballojnë shpenzime të papritura prej 200 eurove
Analisti Dardan Sejdiu, ka nxjerr në pah realitetin ekonomik dhe social të Kosovës, larg imazheve të “suksesit” të prezantuar nga qeveria e Kurtit.
Sipas Sejdiut, situata e qytetarëve është alarmante: rreth 90 000 familje përballen me nevojën për subvencione të dimrit për faturat e rrymës, ndërsa 48 për qind e qytetarëve nuk mund të përballojnë asnjë shpenzim të papritur prej 200 eurosh.
Një pjesë e madhe e shtëpive, rreth 21.6 për qind, jetojnë vetëm me batanije për të ngrohur dhomat, ndërsa 42.2 për qind e qytetarëve e shohin mishin si luks dhe nuk e konsumojnë më shumë se tre herë në javë.
Sejdiu ka theksuar gjithashtu se 44.6 për qind e familjeve kanë borxhe ndaj bankave, një barrë që rëndon dukshëm jetesën e tyre, ndërsa gratë kryejnë mesatarisht 6.2 orë punë të papaguar çdo ditë nëpër shtëpi, duke mbajtur në këmbë një ekonomi që shteti duket se e ka harruar.
“Kur i sheh këto shifra, fjala “begati” që e përdor kjo qeveri nuk është veç një gabim i vogël retorik. Është diagnozë e një shteti që i ka ngatërru dritat e neonit me ngrohtësinë e vërtetë të shtetit! Shteti që u bë arkëtar i pareve dhe votës së diasporës, po harroi me u bë arkitekt i jetës më të mirë në Kosovë. Mos u rreni! Nuk jemi tu u zhvillu, jemi tu u fikë kadale, me një karamelë në gojë gjatë verës, dy gjatë dimrit, e me sytë nga valixhja dhe bileta një drejtimshe! Rruga e mbarë? E kismet, po shihemi në terminal”, ka shkruar Sejdiu në “Facebook”.



