Sejdiu: Do jetë problematike të bëhet një qeveri pa marrëveshje
Opinionisti Dardan Sejdiu, duke u bazuar në të dhënat e Exit Poll-it të PIPOS, tha se formimi i Qeverisë së Kosovës do të jetë problematike për një marrëveshje mes dy partive politike shqiptare.
Pos tjerash, ai tha se nuk është vërejtur ndonjë lëvizje nga rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Po e shoh që nuk kemi lëvizur prej 9 shkurtit, nuk ka ndonjë lëvizja sa i përket përmbajtësisht. Jemi përsëri në situatë që i imponohet një marrëveshjeje për të tejkaluar krizën e Presidencës. Ka me qenë problematike me bë qeveri pa marrëveshje dy parti politike shqiptare”, tha ai.
Ndër të tjera, Sejdiu tha se partitë politike nga sonte duhet të mendojnë se duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet me njëra-tjetrën.
“Çka është me rëndësi me e kuptu secili prej qytetarëve po besoj që edhe prej partive politike sonte, është që prej nesër duhet me ja nis me fol me njëri-tjetrin. Kjo është kushti që e ka demokracia, dhe mënyra e operimit në Kosovë”, u shpreh Sejdiu.



