Sekretari i NATO-s: Ka rrezik për një konflikt të armatosur në Evropë

11 shkurt 2022 | 14:13

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të premten ka vizituar një bazë ajrore ushtarake në Rumani, që është nikoqire e afro 1 mijë trupave amerikane, që janë dislokuar në këtë shtet si pjesë e përpjekjeve të aleancës për të forcuar krahun lindor, pas rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Stoltenbergu, që është takuar në bazën ajrore Mihail Kogalniceanu, me presidentin rumun, Klaus Iohannis dhe zyrtarë të tjerë të lartë, ka thënë se “ka rrezik për një konflikt të armatosur në Evropë”.

“Ne nuk kemi siguri lidhur me atë që do të ndodhë. Prandaj ne i bëjmë thirrje Rusisë që ta shtensionojë situatën”.

“Ne jemi vigjilentë dhe të përgatitur dhe kjo është arsyeja që prezenca e trupave të NATO-s në Rumani është kaq e rëndësishme”, ka thënë ai.

Vizita e Stoltenbergut në Rumani po ndodh në të njëjtën ditë kur karvanët e ushtrisë amerikane, me pajisje ushtarake erdhën në këtë bazë rumune. Shtetet e Bashkuara janë duke rivendosur 1 mijë trupa nga Gjermani në Rumani, pasi zyrtarët amerikanë kanë frikë se Rusia shumë shpejt do ta pushtojë Ukrainën. Trupa të NATO-s po ashtu janë dislokuar në Poloni.

Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe ka kryer një sërë manovrash ushtarake në rajon. Por, Moska ka thënë se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ftesës së Partisë Socialdemokrate (PSD) për takim i janë përgjigjur…