Sekuenca fabulare të shndërruara në roman

20 nëntor 2025 | 08:25

Sadik Krasniqi

Albina Idrizi, Përsëri mars, Buzuku, Prishtinë, 2019

Duke e njohur Albina Idrizin si një ndër poetet më mira në letrat shqipe, prozës së saj lexuesi do t’i qaset me kurajë. Romani i saj i ri Përsëri mars shquhet me poetikë të veçantë, procede, fabularitet, personazh, dialog, imazh, gjendje e ngjarje, dramacitet e figurativitet, gjithë këto të shprehura gjuhësisht bukur dhe me stil të lartë. Krejt këtë kreacion artistik Albina Idrizi e arrin përmes transcendencës mbi palimpsestin e imagjinatës së saj të thellë. Në romanin Përsëri mars ngërthehen motive e ide, përmes një realiteti e arealiteti, përmes imazheve e mirazheve, ëndrrave e vegimeve, përvuajtjeve dhe shpre­save, për të ardhur deri te premisa sa logjike aq dhe absurde. Disa elemente që ka romani çojnë kah prirja e autores drejt postmodernes, si fiksioni, absurdja, meta­morfoza, vegimi, ironia e intertekstualiteti (kur them intertekstualiteti, e kam parasysh rubainë e Khajamit si dhe sentencën e Anias Nin që autorja i përdor si para­tekste e motocitate).

Duke qenë se romani është një ndërtim episodik ngjarjesh mjaft koncize, këto elemente të formës së post­modernes vetëm se preken. Dy kryetemat e përhershme të letërsisë, tanatosi e erosi, në këtë roman ngjizen në referencë si ide e menduar andaj vepra është një fiksion i mirëfilltë që zhvillohet përmes mininarracionit. Përmbaj­tjesorja e romanit si temë është aktualiteti i pasluftës që rrëfehet përmes personazheve dhe raporteve në mes tyre. Lufta dhe paslufta tashmë janë bërë tema të shumë veprave letrare, andaj sot kemi disa romane me një referencë të ngjashme për të njëjtën temë siç janë Kryeqyteti i lakuriqëve i Arif Molliqit, Gosti në natën e parë të vjeshtës i Gëzim Aliut, Shtatë udhë i Rrahman Paçarizit etj.

Romani Përsëri mars dallon nga siromanet e tjera për fiksionin si ide dhe absurden si synim. Përderisa përgji­thësisht te romanet e tjera trajtohen rrethanat e pas­luftës me degradime, devalvime, degjenerime, manipu­lime për të arritur deri tek e mira materiale, gjegjësisht te kapitali, te ky roman ideale është diçka tejet, absurde, përpjekja për ta pasur varrin më të mirë dhe më madhë­shtor. Njerëzit fiksohen në këtë ideal saqë vetëvarrosen si Fata dhe bëjnë vetëvrasje si Agimi për t´i zënë varrin kryeparit të qytezës. E gjithë këtë makabër alogjik autorja e rrëfen përmes një ironie aq fine saqë të befason. Romani ka një koleksion sekuencash fabulare, të cilat mund të qëndrojnë edhe si tregime në vete, por që harmonizohen bukur në rrjedhën e syzheut. Këto sekuenca ngjarjesh tregohen përmes personazheve dhe botës së tyre të brendshme të cilat janë histori në vete.

Gëzimi, personazhi kryesor, është një djalosh i rritur në dyer të huaja, “me një lëmsh në fyt dhe një dorë rreth qafe që ia zë frymën”, siç shprehet metaforikisht autorja e librit, që ia bënte jetën vrer duke i përmendur orë e çast të “mirat” që i kishin bërë Birbos.

Ishte kjo dora e Agimit, kryeparit të qytetit. Gëzimin vuajtja e kishte fisnikëruar, bërë djalosh me shpirt të mirë. Mirësia dhe çiltërsia e tij kishte arritur ta ndihmojnë edhe Erën, vogëlushen e sëmurë për vdekje, që ishte dashuruar në fluturat që babai pikturonte në varrin e saj. Mjerimi i varfërisë në ambientin ku dergjej vogëlushja tregohet me një mjeshtëri hygojane si te romani Të mjerët, ndërsa skena e plotësimit të dëshirës së Erës për t’i parë fluturat mbi varrin e hapur të saj, rrëfehet aq ndjeshëm dhe me ngjyra nostalgjike saqë ta përkujton filmin italian Ultima neve di primavera, ku babai (rol ky i luajtur mrekullueshëm nga Bekim Fehmiu) i plotëson dëshirën e fundit djalit duke e çuar te lodrat e qytetit e që vdes në përkëdheljen e tij. Por këtu shpirti i bardhë i autores së këtij romani e shëron Erën e dashuruar në fluturat e skalitura mbi mermerin e varrit të saj.

Thamë më lart se në këtë vepër hasim shpesh absurde që e bëjnë këtë vepër një rrëfim më të veçantë siç është edhe vetëvarrosja e Fatës, nënës së Lidës, duke helmuar veten me medikamente vdekjeprurëse. Situata të tilla të përshkruara bukur dhe me shumë ironi kemi gjatë për­shkrimit të formave të varreve që ndërtoheshin përditë sipas dëshirave të paplotësuara në jetë. Andaj kishim varre në formë kitare, në forme sirene, në formë të zogjve, në formë tulipani, në formë libri, në forme të mauzoleve, tempujve e formave më të çuditshme. Në njëfarë mënyre, secili qytetar i pasur i kësaj qyteze ishte një “keops” për ta ndërtuar piramidën e vet prej varri në krastën e tokës së terur e që ishte pronë e njeriut, dikur me nofkën përçmuese Birbo.

Përpos këtyre gjërave absurde që tregohen përmes ironisë në roman gjejmë plot situata të natyrshme dhe reale, gjejmë dashuri, bujari, mirësi. Madje personazhet sikur arrijnë në një katarsis shpirtëror. Kjo sigurisht ndodh nga etika e autores që ka të mirën si synim.

Romani i Albina Idrizit temën e trajton përmes mini­narracionit, në të cilin ka intensitet ngjarjesh, situatash, përshkrimesh, gjendjesh, emocionesh, figurash, saqë ky intensitet të imponon një lexim gjithsesi të vëmendshëm dhe përjetues. Romani mbaron me një lumturi të dashu­risë në mes të Gëzimit dhe Lidës, një dashuri ideale e realizuar përmes një realiteti dhe vizioni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhavit Drenori dhe Halil Matoshi kanë pasur një përplasje mbrëmë…