Sekuestrohen 40 mijë euro false në Prishtinë, arrestohen dy persona

07 tetor 2025 | 11:13

Dy persona janë arrestuar të martën mbrëma në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “Falsifikimit të parasë”. Arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas një operacioni të organizuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit, me inicialet S.T. dhe A.Th., janë ndaluar në një veturë gjatë operacionit policor, ku pas kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 40 mijë euro të falsifikuara. Sipas testimeve fillestare, paratë rezultuan të jenë false.

Operacioni është zhvilluar pas hetimeve disa mujore dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Pas ndalimit të të dyshuarve, policia ka kryer kontrolle edhe në dy lokacione të tjera: në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të tyre.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se në koordinim me Policinë e Kosovës po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Hetimet rreth këtij rasti janë në vazhdim.

Komunikata e plotë:

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, në orët e mbrëmjes të martën janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i Parasë” .

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas hetimeve disa mujore, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e  Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë zhvilluar një operacion policor në Prishtinë.

Në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, është ndaluar një veturë në të cilën gjendeshin dy personat e dyshuar, S.T dhe A. TH

Pas kontrollit të ushtruar, janë gjetur dhe sekuestruar para të falsifikuara në valutën euro, në shumën totale prej 40,000.00 (katërdhjetë mijë), të cilat gjatë testimit fillestar kanë rezultuar se janë të falsifikuara.

Hetuesit kanë kryer kontrolle edhe në dy lokacione: në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të banimit të personave të dyshuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot (e martë)…