
Sekuestrohet një autobus në Prizren, shoferi kishte masë ndalimi
Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Prizren ka sekuestruar një autobus pasi drejtuesi i tij rezultoi të ketë masë ndalimi aktiv për drejtimin e mjeteve motorike.
Ngjarja ka ndodhur më 7 tetor rreth orës 18:17 në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren, ku patrulla policore ka ndaluar një autobus të një kompanie nga Lipjani.
Sipas njoftimit të policisë, pas verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se drejtuesi kishte masë ndalimi deri më 26.12.2025.
“Në zbatim të Ligjit për trafikun rrugor 08/L-186, ndaj tij është shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje, gjobë prej 500 euro, masë ndalese shtesë prej 6 muajsh dhe 5 pikë negative në patentë. Autobusi është sekuestruar. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë rrugore dhe zbatimin e ligjit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.