
Selami: Në DAP nga 8% të punësuar shqiptarë, për 1 vit arritëm 25% dhe avancuam në vendet udhëheqëse!
Në emisionin Ritmi i ditës, në TVM2, zëvendësdrejtori i Drejtorisë për të Ardhura Publike në Maqedoninë e Veriut, Abdylselam Selami ka thënë se nga momenti që ai është emëruar zëvendësdrejtor në këtë institucion, është arritur 25 për qind i të punësuarve shqiptarë, si dhe avansim në vendet udhëheqëse në drejtorinë e Shkupit dhe në drejtoritë tjera rajonale.
Ai duke folur për punët e realizuara për këtë vit kalendarik, ka theksuar se edhe përskaj vështirësive që u shkaktuan nga pandemia, arritën të realizojnë të gjitha aktivitetet e parapara për këtë vit.
Selami ka pohuar se edhe pse jo me dinamikën e planfikuar, punët kanë rjedhur pak më ngadalë.
Ai ka theksuar se DAP-i është në fazën e digjitalizimit të tërësishëm dhe deri më tani pjesërisht është digjitalizuar, por siç premtoi Selami, viti 2022 do të jetë sfidë për digjitalizim të tërësishëm, me te vetmin qëllim, qasje më të lehtë për qytetarët dhe obliguesit tatimorë.
Selami gjithashtu foli për bashkëpunimin me institucionet tatimore të rajonit, me atë të Kosovës ku dhe kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira dhe në fazë përfundimtare është përpilimi i memorandumit me R. e Shqipërisë i cili së shpejti do të nënshkruhet nga dy palët.
Zëvendësdrejtori i i DAP-it bëri apel deri te qytetarët ta zbresin aplikacionin ‘TVSH-ja ime’, të kërkojnë llogarritë e tyre fiskale, t’i skanojnë ato dhe në këtë mënyrë do të ndihmojnë arkën e shtetit por edhe buxhetin e tyre familjar me kthimin e TVSH-së.