Selimi thotë se klubi i politikës së vjetër është bërë bashkë

29 tetor 2020 | 11:47

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në fillim të seancës plenare, në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës ka renditur disa nga problemet me të cilat ka thënë se është duke u ballafaquar Kosova.

Ai ka përmendur banorët e Komunës së Mitrovicës dhe të viseve të tjera që sipas tij, pengohen ende sot për tu kthyer në pronat e tyre, dhe s’mund të kthehen për të punuar e për të jetuar.

“Janë banorët e Hadës me problemin e tyre të madh e të pazgjedhur, janë po ashtu banorët e Drenasit që po përballen pa përgjigje me problemin e madh që kanë nga Ferronikeli, ku po i rrezikohen shtëpitë, pronat, shëndeti, e veçmas jeta e tyre. Qytetarët do duhej të ishin në plan të parë për qeverinë e tyre për zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta. Janë pjesëtarët e Policisë së Kosovës ende pa ligjin për pensionim të parakohshëm dhe pa sigurim shëndetësor, janë zjarrfikësit ende pa status e pa përkrahje”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se sot në vend grabitet thesari i shtetit përmes militantëve partiakë e të punësuar në administratë.

“Ne kemi minator, por pa status. Janë gratë e papuna, amvise në Kosovë që rrisin fëmijë e mbajnë familje, pa përkrahje nga shteti. Nuk janë siguruar strehë për gratë e dhunuara. Fondin pensional po duan ta zbrazin, që pensionistët e nesërm të jenë po aq keq sa pensionistët e sotëm, në këtë situatë të rëndë ekonomike. Grabitet thesari i shtetit përmes militantëve partiak të punësuar në administratë, grabitet AVUK, ka hetime për tendere deri në nivele të larta qeveritare, në ndërkohë shuhet Task-Forca kundër Korrupsion. Klubi i vjetër i politikës së vjetër po sillen njëjtë dhe janë bashkë, krejt po i shohim, veç ata po mendojnë që po e fshehin fytyrën”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër për betimin…