
Selman Rexhepi, kontribues i kulturës kombëtare dhe shëndetësisë publike
Selman Rexhepi, i lindur më 18 maj 1966 në Tupallë të Medvegjës, është një nga figurat më të dalluara të qëndresës kombëtare dhe kulturës shqiptare. Rruga e tij jetësore është e mbushur me sfida, sakrifica dhe vuajtje të shumta, të cilat ai i përballoi me guxim të pashoq dhe me dashuri të pakushtëzuar për atdheun.
Që në vitin 1981, si nxënës, u kyç në Lëvizjen Kombëtare duke shpërndarë parulla dhe mbishkrime “Kosova Republikë” në Medvegjë e Lebanë, gjë që solli arrestime, maltretime dhe kërcënime të vazhdueshme. Në vitet pasuese, ai u bë pjesë e organizimeve studentore dhe protestave, ku shpeshherë u përball me dhunë policore dhe përjashtime nga shkolla. Edhe gjatë shërbimit ushtarak në Zagreb (1985), mbeti i pathyeshëm, duke thirrur me guxim “Kosova Republikë” dhe duke rrezikuar deri në 10 vite burg.
Vitet ’90 shënuan për të kulmin e sakrificave. Pasi kundërshtoi publikisht vendosjen e flamurit serb në shkollën e Tupallës dhe shkatërroi pllakën me mbishkrime serbe, ai u ndoq, u arrestua dhe u rrah mizorisht nga policia serbe. Nga dhunimet e rënda e torturat çnjerëzore, shëndeti i tij u rëndua aq sa prej asaj kohe jeton me terapi të vazhdueshme. Për vite të tëra u detyrua të qëndronte i fshehur, larg familjes, duke bartur plagë të rënda fizike e shpirtërore. Megjithatë, betimi i tij ishte i qartë: “Edhe 100 jetë po t’i kisha, prapë do t’i falja për kombin tim.”
Pas luftës, Selman Rexhepi kontribuoi në mënyrë të veçantë në shërbimin shëndetësor, duke ndihmuar të plagosurit dhe duke treguar humanizëm të lartë.
Nga viti 2008, ai është drejtor i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Shqiponjat e Medvegjës”, të themeluar më 11 mars të po atij viti në Prishtinë nga një grup medvegjasish të shpërngulur. Përmes kësaj shoqërie, Selman Rexhepi ruajti dhe promovoi traditën e valleve dhe veshjeve shqiptare, duke i bërë ato pjesë të pandashme të identitetit kombëtar edhe në diasporë.
Biografia e Selman Rexhepit është dëshmi e gjallë e sakrificës, atdhedashurisë dhe qëndresës së palëkundur shqiptare. Ai mbetet shembull frymëzimi për brezat e rinj – një njeri që vuajti, por nuk u thye kurrë; një legjendë e gjallë që i fali jetën kombit dhe kulturës shqiptare.
Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, si dhe i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni.