Selmanaj, Kurtit: LDK-ja është fajtore sepse ju ka bërë kryeministër

25 mars 2020 | 16:03

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ia ka kujtuar kryeministrit Albin Kurti disa veprime që dikur Vetëvendosja i ka bërë ndaj Isa Mustafës, derisa ka thënë se është thellësisht i zhgënjyer që koalicioni LV-LDK nuk funksionoi.

“Dua t’i kujtoj disa gjëra kryeministrit. Kryeministër, ju edhe njerëzit e juaj u patët nis në Prapashticë që ta sulmoni shtëpinë e kryeministrit Isa Mustafa. Kryeministër, ju dhe njerëzit e juaj i patë vendos edhe shufrat e hekurit në rrugët për t’ia shpërthyer gomat e veturës së tij. Kryeministër, ju dhe njerëzit e juaj në Suharekë e keni sulmuar me gurë kolonën e kryeministrit, madje edhe me gurë shumë të mëdhenj, kolonën e kryeministrit duke rrezikuar edhe jetën e tij”.

“Kryeministër, krejt këto ua ka falë LDK-ja dhe Isa Mustafa. Ju ka pranuar në shtëpi dhe të ka thënë ‘hajde po të bëjmë kryeministër, merri punët në dorë dhe kryej punët e shtetit të Kosovës’. Pse e ka bërë këtë? E ka bërë për të mirën e vendit, sepse kemi qenë të bindur që vetëm LDK-ja dhe Vetëvendosja mund ta kthejnë në binarë këtë vend”.

“A jam i zhgënjyer? Thellësisht i zhgënjyer për dy elemente. E para është që për vetëm 50 ditë, ju kryeministër, ndoshta jo edhe shumë me fajin tuaj personal, por me oborrin e njerëzve që i ke përreth që më tepër flasin për konsipracione dhe qasje dogmatike ndaj problemeve në Kosovë se sa problemet reale që i kemi, tash na ka sjellë në situatë ku kemi vënë në pikëpyetje a duhet ta vazhdojmë raportin tonë qenësor me Amerikën – si aleatin themelor që e kemi – apo të kthehemi dika tjetër?”.

“Elementi i dytë është që kemi filluar të sillemi brenda shtetit të Kosovës ashtu që kryeministri merr gjatë ditës vendime anti-kushtetutese, në mbrëmje çohet ai tjetri që e kemi në krye të vendit dhe e shkel Kushtetutën. Kemi vendos të bëjmë aventura duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj në seancën e sotme të Kuvendit ku pritet të votohet mocioni për rrëzimin e Qeverisë ka thënë se LDK-ja është fajtore që e ka bërë Albin Kurtin kryeministër dhe Hashim Thaçin president, derisa foli edhe për Vjosa Osmanin, e cila ka ndërhyrë duke thënë se askush nuk ka të drejtë t’ia përmend emrin dhe të flasë në emër të saj.

“Ju mund të shani dhe fyeni LDK-në. Keni të drejtë – shani, fyeni, krejt gjuhën e tmerrshme që e keni brenda dhe vulgaritetin shpreheni”.

“Pse? Sepse vërtetë LDK-ja është fajtore, sepse ju ka bërë kryeministër. Hashim Thaçi i ka krejt fajet, sepse LDK-ja e ka bërë president. Vjosa Osmani mund të na lëshohet në qafë, sepse LDK-ja e ka bërë kryeparlamentare”, ka deklaruar Osmani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se Bashkimi…