Selmanaj: Nagip Krasniqi s’ka qenë vetëm, të zbardhet roli i Martin Berishajt, Kurtit dhe Rizvanollit

26 prill 2023 | 12:49

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj,  ka thënë se si parti përshëndesin aksionet e institucioneve të drejtësisë lidhur me dyshimet për keqpërdorime në KEK.

Ai ka thënë se qasja e qeverisë Kurti me KEK-un ka qenë e papranueshme që nga kapja e kësaj ndërmarrje nga aktivistët e LV-së e deri tek emërimi i Nagip Krasniqit në krye të bordit.

Selmanaj ka thënë se vetëm pas themelimit të Komisionit Hetimor, KEK-u e kishte anuluar konkursin për plotësimin e 150 pozitave të lira.

“LDK-ja në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet në këtë korporatë, që nga mënyra se si kjo Qeveri ka menaxhuar krizën energjetike, shtrenjtimin e rrymës dhe punësimin masiv të familjarëve dhe aktivistëve të LV-së. Pas themelimit të Komisionit Hetimor, KEK-u kishte anuluar konkursin për plotësimin e 150 pozitave të lira”, ka thënë Selmanaj.

Më tutje, Selmanaj ka shtuar se për Nagip Kransiqin kanë kërkuar hetimet penale edhe për raste të tjera.

“Ne kemi kërkuar hetim penal për Nagip Krasniqin edhe për raste tjera. Vazhdimi i tregtimit të energjisë nga HSE-ja që operonte pa licencë në Kosovë dhe për këtë ishte njoftuar edhe nga ZRrE-ja, këtë e ka konfirmuar edhe vetë Nagip Krasniqi, që kishte deklaruar se edhe përkundër se kishte pranuar e-mail nga ZRrE-ja për mungesën e licencës, ai ka vazhduar operimin dhe bashkëpunimin sepse ai e interpreton ligjin vet dhe nuk i nënshtrohet ZRrE-së. Nagip Krasniqi ka konfirmuar se KEK-u ka importuar energji për nevoja të KESK-së me çmime më të larta se në bursat ndërkombëtar. Rreth 50 për qind më shtrenjtë se çmimi në bursa. Pse ka ndodhur kjo, kjo do përgjigje urgjente. Duhet hetuar të gjitha kontratat dhe të gjitha proceset e prokurimit në KEK që kanë ndodhur gjatë menaxhimit të KEK nga kjo qeveri”, është shprehur Selmanaj.

Selmanaj ka thënë se LDK-ja pret dhe shpreson që hetimi të mos ndalet deri tek zbardhja e të vërtetës dhe rolit të Martin Berishajt, ministres së Ekonomisë dhe kryeministrit Albin Kurti, meqë ka thënë se partia që përfaqëson është e bindur që Nagip Krasniqi s’ka qenë i vetëm në aktivitetet milionëshe brenda KEK-ut.

“Presim dhe shpresojmë që hetimi të mos ndalet derisa të zbardhet e vërteta, edhe rolin e ambasadorit Martin Berishaj, ministres së Zhvillimit Ekonomik dhe kryeministrit Kurti në gjithë këtë proces. Jemi të bindur që z. Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitetet shumë milionëshe dhe të paligjshme”, ka thënë Selmanaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar…