
Selmanaj: Projektin e gazit mos e reduktoni në çështje të çmimit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka deklaruar se raporti i Kosovës me Amerikën nuk është çështje çmimi, por çështje strategjike dhe afatgjate.
Në seancën e sotme parlamentare, ku po diskutohet për projektin e gazsjellësit amerikan, ai ka kërkuar nga ekzekutivi që kjo çështje të rikthehet për diskutim në parlament dhe të ratifikohet.
“Ju lutem mos e reduktoni në çështje të çmimit, sepse po të reduktohej në çështje të çmimit, unë jam i sigurt që as intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk do të ndodhte. Çështje të tilla duhet pa përtej aspektit ekonomik, ndoshta më së paku në aspektin ekonomik, edhe në kontekst të sigurisë dhe fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë.” ka deklaruar Selmanaj.
Sipas tij, nëse përfaqësuesit amerikan dalin të flasin publikisht për këtë çështje, atëherë do të jetë shumë keq për Kosovën.
“Kushdo që flet sot dhe thotë që ne jemi mirë me amerikanët sepse përfaqësuesit amerikanë nuk kanë dalë në publik dhe me thanë shqetësimet e tyre për këtë temë, unë them që kjo qasje është gabim. Pse është gabim, sepse kur amerikanët fillojnë me partenrin e vet të flasin publikisht, atëherë i kemi punët shumë keq.”, është shprehur Selmana.