Selmani falënderon të gjithë ata që e mbështetën, edhe pse nuk arriti të bëhet asamblist
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për asamblist në Komunën e Prishtinës, Muhamet Selmani, ka falënderuar të gjithë votuesit që i besuan dhe e votuan me numrin 17 në listën zgjedhore të PDK-së për Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Edhe pse nuk ka arritur të sigurojë një ulëse në asamble, Selmani përmes një postimi në Facebook ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e marrë dhe është shprehur krenar për rrugëtimin e tij politik. “Kur e kujtoj se si me PDK e kam filluar garën për asamblenë e Prishtinës dikur, dhe ku kemi mbërritur sot, patjetër që jam krenar për këtë rrugëtim dhe këtë rezultat, edhe pse kësaj radhe unë nuk mora votat e mjaftueshme që të jem pjesë e kësaj legjislature”, ka shkruar Selmani.
Ai ka shtuar se misioni dhe vizioni i tij politik, në kuadër të PDK-së, nuk ndalen me mbarimin e zgjedhjeve, por vazhdojnë me angazhime konkrete për zhvillimin e qytetit. “Pavarësisht kësaj, unë ju falënderoj të gjithëve për përkrahjen dhe besimin te PDK dhe te unë në tri mandatet e kaluara. Një falënderim të veçantë dua t’ua shpreh 547 qytetarëve të Prishtinës që besuan dhe më votuan në këto zgjedhje.
Dua t’ju siguroj se misioni dhe vizioni ynë nuk është vetëm një garë që përfundon me numërimin e votave, por një synim i vazhdueshëm për të krijuar kushte më të mira për qytetarët tanë – për një Prishtinë dhe një Kosovë ku jeta dhe mirëqenia janë më të mira e më të sigurta”, ka theksuar ai.
Selmani ka lënë të kuptohet se mund të bëhet pjesë e asamblesë komunale në rast të ndonjë marrëveshjeje eventuale të PDK-së me ndonjërën nga partitë që kanë shkuar në balotazh – Lëvizjen Vetëvendosje ose LDK-në.
Në fund, ai ka përmbyllur me një mesazh emocional: “Ju faleminderit edhe njëherë për besimin tuaj!
Vazhdojmë me punë për arritjen e synimeve tona të përbashkëta.
Prishtinë, oj zemër e madhe.
PDK, pjesë krenare e këtij qyteti!”



