
Selmani transferohet në Kinë
Astrit Selmani ka vendosur të vazhdojë karrierën e tij në Azi. Pas largimit nga Dinamo Bukuresht, sulmuesi kosovar është transferuar zyrtarisht te Shaanxi Union në Kinë. Selmani ka nënshkruar me skuadrën kineze që garon në Ligën e Parë, niveli i dytë i futbollit profesionist në Kinë. Ai do ta veshë fanellën me numër 9 për sezonin e ri.
“Pas negociatave miqësore me lojtarin, Shaanxi Union FC ka arritur një marrëveshje me Astrit Selmanin. Sulmuesi kosovar është bashkuar zyrtarisht me klubin dhe do të veshë fanellën ikonike me numër 9”, ka njoftuar klubi përmes një komunikate zyrtare.
Gjatë këtij afati kalimtar, Selmani ka pasur oferta nga disa klube evropiane. Ai ishte në radar të Rijekës në Kroaci, Rakow dhe Jagiellonia në Poloni, si dhe Kasimpasas në Superligën turke. Megjithatë, 26-vjeçari ka vendosur ta provojë veten në futbollin aziatik, duke zgjedhur një aventurë të re larg Evropës.