Sëmundjet mendore sipas psikopatologjisë gjyqësore, qasja nga aspekti kriminalistik

28 shkurt 14:28

Shkruan: Arben Dashevci

Në preventivën e kriminalitetit është shumë me rëndësi jo vetëm të njihet psikologjia e krimit (kriminalitetit), por edhe ndodhitë e mëvonshme psikike të kryesit të veprës penale dhe të personave të tjerë në mjedisin e tij. Kështu, në sjelljen kriminale dalin në sipërfaqe një varg vetish dhe ngjarjesh përjetuese psikike të bashkëpjesëmarrësve në veprën penale, duke filluar nga kryesi deri te pjesëmarrësit në ato ngjarje. Të gjithë këta pjesëmarrës të këtij veprimi perceptojnë, vërejnë, mendojnë, ndiejnë, mbajnë mend dhe janë të motivuar që në mënyra të ndryshme shprehin aftësitë e tyre, karakterin, temperamentin dhe shumë mirë kontrollojnë tërë këtë përmes personalitetit të tyre. Ndonëse shprehja sëmundje shpirtërore  dhe çrregullim psikik me të madhe përdoret në drejtësi dhe kriminalistikë, megjithatë nuk ekziston definicioni i tyre juridik a kriminalistik. Për vlerësimin juridik të veprës penale të cilën e ka kryer personi me çrregullime shpirtërore, është shumë me rëndësi mendimi i psikiatrit. Prandaj, evaluimin e përgjegjësisë së të sëmurit psikik i cili ka kryer vepër penale zakonisht e bën eksperti i mjekësisë – psikiatri forenzik.

Po i përmendi vetëm disa nga këto sëmundje sa për ilustrim.

  • Skizofrenia

Në masë (opinion) është shumë i përhapur mendimi i gabueshëm se skizofrenët janë të rrezikshëm dhe kryes të shpeshtë të veprave penale siç është sjellja e dhunshme dhe vrasja. Mirëpo, skizofrenët shumë rrallë kryejnë vrasje, ndonëse janë pacientë kataton dhe paranoik, shumë shpesh janë të prirë për sjellje agresive. Pacienti skizofren më së shpeshti kryen vepër penale nën ndikimin e halucinacioneve të ndjenjave imperative ose për shkak të ideve të kota të “ndjekjes”. Për t’u kuptuar raporti midis skizofrenisë dhe sjelljes kriminale është e mjaftueshme të drejtohemi në relacionin sëmundje psikike – vepër penale. Prandaj është e nevojshme që të bëhet shumë më tepër sesa që sot zakonisht punohet në praktikë. Para së gjithash, është e domosdoshme që në kontekstin e këtij raporti të kihen parasysh edhe faktorët e tjerë relevantë, sidomos faktorët e mjedisi.

  • Depresioni

Sikurse edhe te skizofrenia, edhe këtu është shumë vështirë të konstatohet karakteri i lidhjes midis depresionit dhe sjelljes kriminale, ndonëse lidhur me këtë ekzistojnë disa shpjegime. Është shumë e rrallë dukuria kur pacienti i cili manifeston çrregullimin psikik depresiv kryen vrasje. Nëse kjo edhe ndodh, atëherë kjo dukuri më së shpeshti është tek anëtarët e familjes, pra anëtarët e familjes janë viktima të të sëmurit depresiv. Kështu këto vrasje konsiderohen si vetëvrasje të përhapura, sepse i sëmuri pas vrasjes bën suicid, (vetëvrasje), kurse nën ndikimin e ideve depresive të kota, pacienti anëtarëve të familjes së ngushtë ua parasheh ardhmërinë e kobshme, shkatërrimin e afërt, prandaj ai konsideron se duke i mbytur ata po i shpëton nga fatkeqësia që do të vijë. I sëmuri depresiv mund të vjedhë dhe të bëjë sjellje të dhunshme. Meqenëse te pacientët e hospitalizuar nuk është vërejtur sjellje e dhunshme, si duket megjithatë lloji i kriminalitetit të  tillë është shkaktuar nga faktorët psikikë dhe ka ndodhur ekskluzivisht në rrethanat e bashkësisë shoqërore.

  • Mania

Të sëmurët maniakë mund të vjedhin dhe mashtrojnë. Në disa raste kur ndonjë individ i kundërvihet qëllimit të maniakut, atëherë ai pacient mund të sillet dhunshëm.

  • Retardimi Mental

Retardimi mental është relativisht rrallë i lidhur për aktivitetin kriminal. Konflikti me ligjin ndodh për shkak se personat e retarduar nuk e kuptojnë çka është e lejueshme e çka jo, prandaj

këtë të tjerët mund ta shfrytëzojnë dhe t’i shtyjnë ata në vepra penale. Një numër më i vogël i të retarduarve kryejnë delikte seksuale dhe sjellje agresive.

  • Skizofrenia paranoike

Skizofrenia paranoike paraqitet më vonë, madje në dekadën e tretë apo të katërt të jetës dhe karakterizohet me shfaqjen relativisht të gjatë të ideve paranoike të cilat shpesh përcillen me halucinacione, sidomos akustike dhe devijime të tjera shqisore. Nuk ka çrregullim afekti, vullneti, të folurish dhe simptoma katatone ose nëse po, atëherë janë shumë pak të theksuara.

  • Çrregullimi i perceptimit

Çrregullimet e perceptimit ose mashtrimet shqisore mund të paraqiten atëherë kur bie funksioni në çfarëdo niveli të lëvizjes së impulsit të jashtëm, nga shqisa deri te korja e trurit të madh. Shkaktarët më të shpeshtë të çrregullimit të sjelljes janë: sëmundjet psikike, efektive dhe neurologjike, intoksikimet (alkooli, droga), dhe deprivimet e shqisave. Simptomat e çrregullimit të perceptimit janë agnozia, iluzionet dhe halucinacionet.

  • Agnozia

Agnozia është çrregullim i perceptimit kur shqisat janë të padëmtuara, por objektet nuk mund të identifikohen (si tërësi), gjegjësisht është e pamundur sinteza e përjetimeve shqisore. Shkaktar i lindjes së këtij çrregullimi janë dëmtimet e korës së trurit të madh. Agnozitë optike paraqiten në rastet e dëmtimit të kores së segmentit okcipital, agnozitë akustike në rastet e dëmtimit të korës timorale, kurse çrregullimet taktile në rastet e dëmtimit të pjesës parietale. Këto manifestohen në atë mënyrë që i sëmuri mund t’i numërojë disa kualitete të ndonjë objekti por atë objekt nuk mund ta njohë përmes të pamurit, dëgjimit a prekjes. Për agnozimet më hollësisht mund të lexohet në tekstet mësimore të neurologjisë.

  • Iluzionet

Janë perceptime të shtrembëruara (të gabueshme), apo mashtruese të ngacmimeve të jashtme të cilat mund të paraqiten edhe te njerëzit normalë psikikë, në rastet kur ata janë të lodhur, nën ndikimin e ndonjë efekti të fuqishëm (frika), ose në raste e intoksimit (alkooli, droga). Personat normalë psikikë janë në gjendje edhe të korrigjohen pasi të kenë parë situatën reale. Mirëpo, i sëmuri psikik – shpirtëror, është absolutisht i bindur në “të vërtetën “e përjetimit joreal. Iluzionet më së shpeshti janë të karakterit optik dhe akustik. Nganjëherë kanë përmbajtës të tmerrshëm (frikësues), gjë që sëmurin e shtyjnë në veprime të paparashikuara.

  • Halucinacionet

Halucinacionet janë mashtrim shqisor të cilat nuk i shkakton objekti i jashtëm real. Pra, individi në rastet e tilla sheh, ndien dhe dëgjon aromë, etj. të ndonjë gjëje që në botën e jashtme në realitet nuk ekziston. Për dallim nga iluzionet, halucinacionet kryesisht paraqiten te personat me çrregullime mentale, mirëpo është e mundur që ato të manifestohen edhe te njerëzit . Në jetën e përditshme në Kosovë, ballafaqohemi me kësi raste, shohim shpesh kësi raste. Janë të rënda për t’u parë dhe nganjëherë nuk di njeriu si të veprojë, kurse veprimi është i thjeshtë.

Këta njerëz me këto probleme para së gjithash janë njerëz, dallimi mes nesh dhe atyre është semundja, prandaj duhet të sillemi si njerëz me ta. Mos luaj me ta, mos i nevrikosni sepse janë krijesa si ne dhe kanë probleme, thjesht vuajnë nga semundja. Kur ndodh ndonjë rast që jemi afër ose rastisim aty, gjëja e parë që duhet bërë është që të lajmërojmë organet relevante, ambulancën ose policinë, dhe kështu duhet të jetë gjithmonë, tjetër rrugë nuk ka. Në asnjë mënyrë nuk duhet të marrim situatën në dorë për një rast që është për trajtim mjekësor. Për këto janë organet relevante, ti kontribuo gjithmonë me ndihmë të parë, sepse na takon dhe është obligim qytetar.

Jemi një shoqëri e dalë nga lufta me probleme nga më të ndryshme: të rënda dhe shumë të rënda. Armiku që na ka lënduar, na ka lënduar shumë, në aspektin psikik dhe fizik. Duke pasur parasysh se sa e sa dekada dhe shekuj kemi qenë ne vuajtje, persekutime, maltretime prej më të rëndave, si popull qëndrojmë fort stabil, sepse AND dhe ARN jona është jashtëzakonisht e fortë, unike dhe e qëndrueshme.

Pse është e qëndrueshme kjo AND dhe ARN jona?

Ne shtetet bashkëkohore këto raste trajtohen me prioritetin më të lartë dhe janë raste SOS për një shtet, u caktohet terapi, kanë infrastrukturën për lakmi dhe trajtohen dinjitetshëm. Ashtu edhe duhet të jetë, trajtimi duhet të jetë primar dhe njerëzor.

Ne kemi dalë prej shumë luftërave, jo vetëm prej kësaj të fundit, por kanë qenë sistematike. Si qëndruam ne kështu stoikë, të fortë në karakter dhe të pathyeshëm? Përgjigjja është te solidariteti mes vete që kemi si popull, bashkë ndiejmë për njëri-tjetrin si popull, i ndihmojmë njëri-tjetrit, nëse jo me gjëra materiale, atëherë me fjalë të buta dhe qetësuese, sepse koha na ka kalitur, vuajtjet na kanë bërë më të fortë se çeliku dhe nuk jemi ndalur kurrë.

Kjo na karakterizon ne si popull dhe askush mos të mashtrohet që të tjerët nuk e dinë, çdo i huaj që viziton vendin tonë, fjala e parë e tij është “jeni të shoqërueshëm si popull dhe solidarë me njëri-tjetrin, keni mikpritje të hatashme dhe ju i ofroni ndihmë tjetrit, pa hezitim”. E çfarë duhet të ketë një popull më shumë së këto tipare?!

Tashmë kemi edhe problemin tjetër Covid- 19 dhe u bë një vit me këtë problem shtesë, kemi pasur edhe të tjera dhe ky problem është shtesë për ne dhe gjithë planetin.

Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan 21.02.2021(DASH), thotë: “Në Kosovë sillen sikurse mos të ketë Covid -19, kurse vendi është i shkatërruar nga Pandemia.” Duhet vetëdijesim maksimal dhe kujdes maksimal po ashtu.

Po kthehem vetëm edhe një herë shkurt te rastet (sëmundjet që përmenda më lart). Edhe 100 herë nëse e sheh ndonjë rast të tillë, 100 herë lajmëro organet relevante që janë të destinuara për trajtim, ti, unë dhe të gjithë, mos u ndal por reago dhe lajmëro organet, deri sa të arrihet vetëdijesimi i atyre që janë përgjegjës për këtë kategori, sepse trajtimi është special, reagimi duhet të jetë special dhe ndihma duhet të jetë speciale. Shumë shohim këso raste nëpër rrugët tona, në qytete, qyteza dhe fshatra. Kemi pasur rastin të shohim të gjithë në disa portale me shkrimin “Njeriu e merr semaforin në mes të ditës”, përderisa askujt nuk i shkoi ndër mend të cekë se ky njeri ishte me të meta mendore, i sëmurë mendërisht dhe do ndihmë, dhe ai nuk di se çka merr ose jep, atij i duhet ndihma.

Nuk u cek fare se është i sëmurë dhe kjo është e dhimbshme. Kujdesi duhet të jetë maksimal. Ka raste kur ikin nga institucioni i sëmundjeve mentale, lirohen vetë, nuk duhet të jetë kështu, duhet të jetë shumë më ndryshe, kujdesi duhet të jetë maksimal dhe i kontrolluar në vazhdimësi. Ne si qytetarë duhet të vazhdojmë të kërkojmë nga institucionet përkatëse, pa ndalur, që këta njerëz të trajtohen dinjitetshëm sepse kanë probleme. Dhe kjo kërkesë jona duhet të jetë e vazhdueshme deri në vetëdijësimin e institucionit përgjegjës, e shpëtojmë një jetë dhe tregojmë qytetari, bëjmë vepër të mirë, ndihmojmë shtetin e ndërtuar me mund të madh.

Në këso rastesh duhet të jetë i rregulluar sistemi që duhet të funksionojë si A B C D. Me rregullim të sistemit, gjërat janë më të lehta për institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për këto raste. Me kërkesat tona rregullohet sistemi përkatës dhe përgjegjës.

Ndihma e qytetarit është e rëndësishme, sepse nuk e merr assesi dhe në asnjë rast situatën në dorë, por reagon menjëherë në institucionet përkatëse dhe me atë reagim ndihmon. Ndihma është ajo më e rëndësishmja nëse bëhet në kontinuitet dhe pa ndalur, deri në sukses.

Shteti duhet të ndihmohet gjithmonë dhe mos kërko llogari nëse ndihmon, shteti është i përbërë nga qytetarët, kontributi ynë si qytetarë është esencial dhe kështu duhet të jetë.

Me ndihmën tonë arrihet vetëdijesimi, me vetëdijesim arrihet suksesi, me sukses ecim përpara.

Është atdheu ynë, Kosova!

 

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vatra ka theksuar se kalimi i kufirit për në…